Pas vendimit për t’ia hequr licencën subjektit financiar “Credi Yes” dhe mbylljen e 40 filialeve të tij për shkak të shkeljeve ligjore, VLEN inkurajon institucionet shtetërore që me vendosmëri të vazhdojnë luftën kundër abuzimeve financiare dhe dukurive që dëmtojnë qytetarët.
VLEN ka premtuar se do të jetë në vijën e parë të luftës kundër dukurive që e dëmtojnë shoqërinë, si kumari, kreditë e shpejta abuzive dhe format tjera të shfrytëzimit financiar të qytetarëve.
Sot po dëshmohet se ky zotim nuk ka qenë vetëm premtim politik, por angazhim real për mbrojtjen e interesit publik.
Institucionet duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo të grupeve që përfitojnë nga vështirësitë ekonomike të njerëzve.
Veprimi i fundit i Ministrisë së Financave, dëshmon se shteti më në fund po merr masa konkrete kundër praktikave që për vite me radhë kanë dëmtuar qytetarët, veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta, duke i futur në cikël borxhesh, pasigurie financiare dhe varësie ekonomike.
Prandaj, VLEN do të vazhdojë të mbështesë çdo reformë dhe çdo masë ligjore që garanton transparencë, mbrojtje të konsumatorit dhe siguri financiare për qytetarët.
