Kreu i ri i Tearcës Daut Memishi, thotë se komunën e ka gjetur me borxh prej mbi një milion euro. Deri te këto të dhëna, sipas tij u arrit pas skanimit i gjendjes financiare. Memishi thotë se borxhi është krijuar si pasojë e keqmenaxhimit të parave nga përbërja e kaluar.
“Afërsisht me sa kemi arritur deri më tani tek informata pra është afër një milion euro. Do e kisha arsyetuar nëse do ishte bë shumë punë, por vetëm projektet që ka pasur Qeveria, pra komuna nuk ka realizuar ndonjë projekt madhor ndërsa fatkeqësisht borxhi është shumë i madh dhe kjo nuk arsyetohet”, deklaroi Daut Memishi, kryetar i komunës së Tearcës.
Memishi thotë se ky borxh do ta pengojë komunën në funksion në të ardhmen.
“Për borxhin e krijuar në katër vitet e fundit, do mundohemi në maksimum të reduktojmë fillimisht numrin e atyre që i kemi me kontrata në vepër, ndërsa ata që do jenë funksional do vazhdojnë të punojnë. Për hir të korrektësisë ndaj qytetarëve, pra ka pasur diku të angazhuar rreth 30 persona me kontratë në vepër. Pra në fund të muajit do detyrohem që ti largoj ata që nuk kanë ardhur në punën dhe nga ata që nuk janë në sistemin e komunës për punën e tyre”, u shpreh Daut Memishi, kryetar i komunës së Tearcës.
Memishi tha se pas përfundimin të tërësishëm të kontrollit do të dalë me detajet për masat që do ndërmerren në të ardhmen. /Alsat.mk
