“Duke këmbëngulur për një rezolutë të përbashkët me Bullgarinë në Parlamentin Evropian, VMRO-DPMNE në fakt pajtohet të problematizojë identitetin dhe gjuhën, që janë shtylla kryesore të shtetësisë dhe vetëqenies maqedonase”.
Ky është qëndrimi i partisë E Majta pas propozimit të kryeministrit Hristijan Mickoski që vendi, përmes një rezolute të përbashkët me Bullgarinë në Parlamentin Evropian, të konfirmojë veçantinë e identitetit dhe gjuhës maqedonase.
“Në vend që të qëndrojë fort në qëndrimin se gjuha dhe identiteti maqedonas (tashmë të njohur nga OKB-ja dhe nga komuniteti shkencor) janë të padiskutueshëm, MPJ po mbështet rezolutën e turpshme të Parlamentit Evropian, duke tentuar ta zbatojë atë praktikisht – pikërisht atë që Sofja e pret me padurim. Një rezolutë e përbashkët me një vend që për dekada mohon të drejtat tona themelore dhe ka aspirata irredentiste, nënkupton pranimin e kushteve që në mënyrë të drejtpërdrejtë minojnë vetëvendosjen maqedonase”, thuhet në reagimin e partisë E Majta.