39.8 C
Skopje
E martë, 22 Korrik, 2025

Me figura të ekspozuara, BDI-ja nisi promovimin e kandidatëve të parë për zgjedhjet lokale

BDI, me figura të ekspozuara dhe të tjerë pjesërisht të ekspozuar, nisi promovimin e kuadrove të saja për zgjedhjet lokale. Bujar Osmani, kirurgu që ka mbajtur disa pozita publike politike, do të jetë edhe zyrtarisht kandidat për kryetar të Komunës së Çairit, shkruan Alsat.

Ai, në vitin 2008 deri 2011 ishte Ministër i Shëndetësisë. Në vitin 2011, ai u emërua gjithashtu Sekretar i Marrëdhënieve me Publikun i BDI-së. Në 2017, Osmani u emërua Zëvendëskryeministër përgjegjës për Çështjet Evropiane dhe njëkohësisht kreu detyrat e Koordinatorit për Fondet IPA.

Në 2018, Osmani u emërua Kryenegociator me Bashkimin Evropian. Nga 2020 deri 2024, Bujar Osmani ishte Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në të gjithë këto pozita, puna e tij është shoqëruar me shumë kritika. Osmani ka qenë i dyshuar i Prokurorisë Speciale për rastin “Pacienti” që lidhej me tenderët e spitaleve.

Gjatë kryesimit me OSBE-në, Osmani ishte kritikuar se kishte hartuar një plan me 9 pika për situatën në veri të Kosovës që favorizonte kërkesat e Serbisë kundrejt Kosovës. Kritika të ashpra për këtë, në atë kohë, kishin ardhur nga partneri i tanishëm i koalicionit Arben Taravari.

VMRO-ja vazhdon ta kritikojë Osmanin se negociatat për çështjet etnike maqedonase janë bërë pa dijeninë e opinionit dhe kanë dëmtuar pozitat e vendit sa i takon ruajtjes së identitetit. Me kritika Osmani është përballur edhe për përzgjedhjen e ambasadorëve dhe konsullve të vendit.

Beteja kryesore në Çair zhvillohet mes dy kandidatëve shqiptarë por VLEN nuk e ka konfirmuar akoma zyrtarisht kandidatin e tij.

Bajram Rexhepi nga viti 2002 deri në vitin 2006 ka qenë i punësuar në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve në departamentin e komunikimeve elektronike dhe teknologjisë së informacionit si dhe në pozitën e shefit të kabinetit të ministrit.

Në periudhën 2013-2017 ka qenë anëtar i këshillit të Komunës së Tetovës ndërsa në periudhën 2018-2024 ka shërbyer si drejtor ekzekutiv dhe anëtar i bordit të drejtorëve të operatorit të transmisionit të gazit natyrorë.

Në periudhën 2020-2024 ka qenë deputet në Kuvend.

Përballë Rexhepit në Komunën e Tetovës do të jetë Bilall Kasami, kryetari aktual që kërkon një mandat të dytë.

BDI-ja në takimin e fundit të kryesisë solli dhe vendime të tjera. Faton Ahmeti do të jetë kryetar i Shtabit qendror, Emir Sulejmani kandidat për Zhelinën, Valdet Xhaferi do të jetë bartës i listës së këshilltarëve në Gostivar kurse Faton Pollozhani, bartës i listës së këshilltarëve në Strugë. / Alsat.mk

Të ngjajshme

Të fundit