Skena politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut pritet të hyjë në një fazë të re, pasi koalicioni VLEN është në prag të shndërrimit në parti politike. Ky zhvillim pritet të rikonfigurojë raportet e forcave dhe ta bëjë më të qartë vijën ndarëse në kampin shqiptar, ku gara kryesore po projektohet gjithnjë e më shumë mes BDI dhe VLEN-it, shkruan POPULLI.mk
Vlerësojmë se fragmentarizimi i deritanishëm mund të reduktohet, duke lënë më pak hapësirë për subjekte të tjera. Në këtë kontekst, përmenden sfidat serioze për ASH-të dhe figurat si Ziadin Sela dhe Arben Taravari, të cilët, nëse garojnë të ndarë, rrezikojnë të mbeten jashtë fokusit kryesor elektoral.
Aktualisht, VLEN është pjesë e qeverisë, çka i jep një avantazh institucional, por edhe një barrë përgjegjësie përballë qytetarëve. Pyetja kyçe mbetet se si do të performojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare? A do të arrijë ta kapitalizojë pushtetin aktual në vota, apo do të përballet me konsum politik si shumë subjekte të tjera para saj?
Në qendër të kësaj dinamike është lideri i saj, Izet Mexhiti, i cili me largimin nga BDI-ja i shkaktoi një goditje të ndjeshme kësaj force politike. Tani, si figurë kyçe e VLEN-it, sfida e tij është dyfishe, të konsolidojë strukturat e reja dhe të menaxhojë pritjet e elektoratit që kërkon ndryshim real.
Një tjetër dimension i rëndësishëm është përballja direkte me liderin historik të BDI-së, Ali Ahmeti. Mbetet për t’u parë nëse Mexhiti do të arrijë objektivin e shpallur politikisht për ta sfiduar seriozisht dhe eventualisht për ta “pensionuar” nga skena politike, apo nëse përvoja dhe struktura e konsoliduar e BDI-së do të vazhdojnë të dominojnë.
Ndërkohë, një nga testet më të mëdha për VLEN-in do të jetë ruajtja e kapitalit elektoral prej rreth 107 mijë votash nga zgjedhjet e kaluara. Ky numër konsiderohet si bazë solide, por jo e garantuar, në një terren politik që ndryshon shpejt dhe ku besnikëria e votuesit shpesh varet nga performanca konkrete dhe kohezioni i brendshëm.
Me afrimin e ciklit të ri zgjedhor, të gjitha këto dilema pritet të marrin përgjigje në terren. A do të shndërrohet VLEN në alternativën kryesore politike për shqiptarët, apo do të përballet me sfida që mund ta zbehin vrullin fillestar, kjo mbetet çështja që do të përcaktojë balancat e ardhshme politike në vend. / © POPULLI.mk
