23.8 C
Skopje
E enjte, 14 Maj, 2026

Tramp paralajmëroi pezullim të operacionit për shoqërimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit

Presidenti amerikan, Donald Tramp, ka njoftuar se operacioni për shoqërimin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit do të pezullohet për një periudhë të shkurtër kohore, pasi është arritur përparim i madh drejt një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare me përfaqësuesit e Iranit. Në një postim në Truth Social, Tramp tha se vendimi u mor me kërkesë të Pakistanit, i cili po ndërmjetëson bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit, për të parë nëse marrëveshja mund të finalizohet dhe nënshkruhet. Njoftimi i Trampit erdhi pas një konference për shtyp të sekretarit amerikan të Shtetit, Marko Rubio, i cili deklaroi se fushata ushtarake amerikane kundër Iranit, e quajtur “Tërbimi Epik” ka përfunduar, por nuk shkoi deri aty sa të thoshte se konflikti ka mbaruar ose që nuk mund të rifillojë.

“Operacioni “Tërbimi Epik” ka përfunduar. Ne i arritëm objektivat. Nuk dëshirojmë që të ndodhë një situatë tjetër. Do të preferonim rrugën e paqes. Ajo që do të preferonte presidenti është një marrëveshje. Ai do të preferonte të ulej, të hartonte një memorandum mirëkuptimi për negociata të ardhshme që prekin të gjitha temat kyçe që duhet të trajtohen, një hapje të plotë të ngushticave në mënyrë që bota të mund të kthehet në normalitet. Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë diçka për faktin se ne jemi i vetmi vend në Tokë që mund të bëjë diçka për të hapur një korridor brenda Ngushticës së Hormuzit,” tha Marko Rubio, Sekretar Amerikan i Shtetit.

Ndërkohë ministri i Jashtëm iranian, Abas Araghchi, ka deklaruar se Irani do të pranojë vetëm një marrëveshje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse në negociatat me SHBA-në për përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme.  Ai nuk i është përgjigjur drejtpërdrejt vendimit të Trumpit për një pauzë në operacionin amerikan për shoqërimin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit. Ngushtica është praktikisht e mbyllur që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt, duke bllokuar rreth 20% të furnizimit botëror me naftë dhe duke shkaktuar një krizë globale energjetike. /Alsat.mk

Të ngjajshme

Të fundit