18.8 C
Skopje
E hënë, 2 Qershor, 2025

1 Qershori në hije të dhimbjes, Taravari kujton fëmijët e Gazës

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka shpërndarë një mesazh urimi për të gjithë fëmijët, duke theksuar rëndësinë e gëzimit, shpresës dhe të ardhmes së ndritur për brezat e rinj. Megjithatë, në këtë ditë simbolike, ai ka zgjedhur të ndalet tek një realitet tragjik që nuk duhet harruar: gjendja e fëmijëve në Gaza, informon POPULLI.mk. 

“Duke uruar çdo fëmijë që të ndriçojë nga gëzimi sot e përgjithmonë, në këtë ditë dua që të kujtoj fëmijët në Gaza”, shkruan Taravari në një postim të shpërndarë në rrjete sociale.

Ai sjell në vëmendje të dhënat alarmante nga UNICEF, sipas të cilave që nga viti 2023 e deri më sot, mbi 50 mijë fëmijë janë vrarë në Gaza. Më tej, thekson se çdo 20 minuta atje vritet ose plagoset një fëmijë, ndërkohë që mijëra të tjerë mbijetojnë pa kushte elementare si ujë, ushqim, apo mjekime, dhe nën kërcënimin e përhershëm të bombave.

“Zoti pastë mëshirë mbi ta, sepse fëmijët e Gazës e quajnë festë nëse edhe sot i shpëtojnë vdekjes!”, përfundon mesazhin e tij Taravari.

Një thirrje që tejkalon urimin tradicional dhe i jep zë dramës njerëzore që ndodh përtej kufijve – pikërisht në një ditë që i kushtohet pafajësisë, buzëqeshjes dhe shpresës. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit