Evropa ka humbur shumë nga interesimi dhe besueshmëria e saj në Ballkanin Perëndimor. Për më shumë se 20 vjet, që kur BE-ja hapi për herë të parë perspektivën e anëtarësimit për të gjitha shtetet e rajonit, asnjë vend i vetëm nuk është anëtarësuar në BE.
Evropa ka dështuar në mënyrë të përsëritur sa i përket mbajtjes së premtimit të saj, ka formuluar kushte të reja dhe ka vonuar procesin përmes bllokadave kombëtare. Në të njëjtën kohë, nacionalizmi dhe populizmi janë rritur sërish.
Serbia po bëhet gjithnjë e më autoritare dhe agresive, Bosnja dhe Hercegovina është tronditur nga thirrjet e Serbisë për shkëputje, ndërsa marrëdhëniet me Kosovën mbeten ende të tensionuara. Në Ballkanin Perëndimor ka një shqetësim në rritje se rajoni po neglizhohet apo edhe po harrohet nga BE-ja si rezultat i konfliktit të pazgjidhur në Evropës Lindore që ka marrë përmasa globale.
Samiti i Procesit të Berlinit është inkurajues dhe ka treguar progres konkret. Bashkëpunimi rajonal po zgjerohet, mbi të gjitha përmes një tregu të përbashkët në Ballkanin Perëndimor. Kjo është e mirë, por jo e mjaftueshme. Komiteti i ri Evropian duhet të tregojë shumë më tepër përkushtim dhe seriozitet.
Nëse BE-ja “nuk vjen” në Ballkanin Perëndimor, atëherë rajoni do të “shkojë” në Evropë, veçanërisht brezi i ri i mirëarsimuar. Kjo “ikje truri” (brain drain) është tragjike për zhvillimin socio-ekonomik të rajonit.
Është e domosdoshme të vendoset procesi i zgjerimit në një bazë të re: një shpejtësi hibride, një fokus edhe më i fortë në sundimin e ligjit dhe bashkëpunimin rajonal, eliminimin e vetos kombëtare dhe përfshirje më të madhe të shoqërisë civile. Ne kemi nevojë për një konsensus të ri të zgjerimit në BE.
Për të rifituar besimin e humbur, BE-ja duhet të synojë seriozisht anëtarësimin e një vendi deri në fund të dekadës dhe njëkohêsisht Kosova të njihet nga të gjitha vendet e BE-së. Është plotësisht e mundur që Mali i Zi mund t’i bashkohet dhe negociatat me Shqipërinë mund të përshpejtohen.