18 persona janë lënduar në zjarrin që përfshiu fabrikën e ëmbëlsirave “Makprogres” në Vinicë. Disa nga të lënduarit kanë djegie në këmbë. Nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se një zjarrfikës po kurohet në Shtip, katër zjarrfikës të tjerë ne Spitalin e Përgjithshëm në Koçan, tetë punonjës të fabrikës janë dërguar në Klinikën e Toksikologjisë në Shkup, ndërsa të gjithë të hospitalizuarit janë në gjendje shëndetësore stabile.
Shkaqet që çuan në shpërthimin e zjarrit nuk dihen ende. Nga Prokuroria thonë se prokurori është në teren, por hetimi nuk ka filluar ende, për shkak se zjarri nuk është shuar tërësisht.
Flakët përfshinë tre linja prodhimi, dy prej të cilave ishin magazina të mëdha. Zjarri kërcënoi të gjithë kompleksin, por pas orësh të gjata beteje, ekipet arritën të shpëtojnë linjat 1 dhe 5 dhe ta vendosin zjarrin nën kontroll. Por dëmet materiale janë të mëdha.
Në ndërhyrje morën pjesë zjarrfikës nga 11 qytete të Maqedonisë Lindore, të cilët luftuan me flakët nën temperatura ekstreme dhe tym të dendur. Por autoritetet njoftojnë se në njërin prej reparteve, disa zjarrfikës u bllokuan në një masë sheqeri të shkrirë, ku i’u janë ngjitur çizmet në terrenin e shkrirë dhe aty kanë marrë djegie të rënda në këmbë.
Sipas Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, të gjitha repartet kanë pasur panele të diellit mbi çati.
Fabrika “Makprogres”, është themeluar para 35 vitesh dhe njihet në industrinë e ëmbëlsirave në vend./Alsat.mk