1.8 C
Skopje
E mërkurë, 31 Dhjetor, 2025

2025-a, viti i SPAK-ut!

Godina e SPAK u shndërrua në një nga institucionet më të frekuentuara nga politika shqiptare gjatë vitit 2025, teksa dhjetëra zyrtarë të majtë dhe të djathtë u thirrën për të dhënë shpjegime, u morën të pandehur ose përfunduan në pranga për afera të dyshuara korruptive.

Ndër dosjet më të bujshme ishte ajo ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e akuzuar për paracaktim tenderash me vlerë dhjetëra milionë euro. Hetimet kulmuan në tetor, kur ajo u mor zyrtarisht e pandehur për tenderin 190 milionë euro të tunelit të Llogarasë dhe ndaj saj u caktuan masa sigurie, përfshirë pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit. Pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që e riktheu përkohësisht në detyrë, SPAK iu drejtua Kuvendit me kërkesë për arrestimin e saj, duke shënuar përplasjen e parë të fortë mes Prokurorisë së Posaçme dhe mazhorancës.

Një tjetër goditje e rëndë ishte arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, më 10 shkurt, i akuzuar për 13 vepra penale, nëntë prej të cilave për korrupsion. Veliaj vijon të mbahet në paraburgim, ndërsa dosja, ku të pandehur janë edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, ish-deputetja Klotilda Bushka dhe 27 persona të tjerë, ndodhet në shqyrtim paraprak në Gjykatën e Posaçme.

Gjatë vitit 2025, SPAK u përball edhe me figura të tjera të njohura politike. Ish-kryeministri Sali Berisha vijoi paraqitjet në zbatim të masës “detyrim paraqitje” për dosjen “Partizani”, duke hedhur akuza ndaj Prokurorisë së Posaçme. Ish-presidenti Ilir Meta, në paraburgim që prej tetorit 2024, vazhdoi përballjen me drejtësinë, ndërsa dosja e tij dhe e ish-bashkëshortes po shqyrtohet në seancë paraprake. Edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u përball me drejtësinë për dosjet e sterilizimit dhe SASPAC, ndërsa ish-deputeti Jurgis Çyrbja po vuan dënimin në burg. Ndërkohë, ish-ministri Lefter Koka rifitoi lirinë me kusht.

Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj mbetet nën hetim, edhe pse ndodhet jashtë vendit. Gjatë vitit u panë në dyert e SPAK edhe emra si Olta Xhaçka, Damian Gjiknuri, Lulzim Basha, Bamir Topi, si dhe figura të tjera të thirrura për dosje të ndryshme, përfshirë hetimet për ngjarjet e 21 Janarit.

Viti u mbyll me një tjetër dosje të bujshme, atë të goditjes së një grupi kriminal në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ku u shpallën në kërkim disa biznesmenë dhe u caktuan masa sigurie për drejtues të institucionit.

Me një bilanc të ngarkuar hetimesh dhe përplasjesh politike, SPAK mbeti në qendër të vëmendjes gjatë gjithë vitit 2025, ndërsa pritet që godina e xhamtë të vijojë të jetë një nga skenat kryesore të zhvillimeve politike dhe gjyqësore edhe në vitin 2026.

Të ngjajshme

Të fundit