Plani me 20 pika i publikuar nga presidenti amerikan Donald Trump në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Benjamin Netanyahu është një përpjekje e guximshme për të zgjidhur të gjitha çështjet që duhet të adresohen nëse duam një paqe të qëndrueshme në Gaza, analizon The Conversation.
Në analizën me titull “5 problemet e mëdha me planin e paqes së Trump për Gazën”, autori e ngre pyetjen – a mund të funksionojë ky plan?
Të dyja palët janë të lodhura nga lufta. Historikisht, shumë luftëra kanë përfunduar thjesht kur palët janë ndjerë tepër të rraskapitura për të vazhduar. Dy të tretat e izraelitëve duan që lufta të përfundojë, dhe ndonëse sondazhet me palestinezët janë të vështira, është e qartë se edhe ata duan që shkatërrimi dhe vuajtja në Gaza të marrin fund.
Pra, ky plan, pavarësisht kufizimeve të tij, mund të vijë në një moment të përshtatshëm, shkruan The Conversation.
Megjithatë, ekzistojnë shumë pyetje të hapura rreth zbatueshmërisë së planit dhe sa është i mundshëm suksesi i tij. Duke pasur parasysh historinë e dhunshme të Lindjes së Mesme, është e pamundur të jesh optimist në këtë fazë.
Këtu janë pesë arsyet kryesore për shqetësim:
1. Mungesa e besimit
Aktualisht nuk ka fare besim mes palëve. Dhe disa pjesë të planit janë aq të paqarta, saqë ekziston rreziku real që secila palë të akuzojë tjetrën për shkelje të premtimeve.
Ndërprerja e fundit e zjarrit zgjati vetëm dy muaj para se Netanyahu të tërhiqej, duke e akuzuar Hamasin se nuk kishte liruar më shumë pengje para se të vazhdonin negociatat për fazën e ardhshme.
2. Plani është asimetrik
Marrëveshja është dukshëm në favor të Izraelit, jo të Hamasit. Nga Hamasi kërkohet që të lirojë të gjithë pengjet izraelite që ka dhe të dorëzojë të gjithë armët – duke mbetur kështu i pambrojtur.
Hamasi, duke mos pasur besim në Izraelin dhe veçanërisht në Netanyahun, mund të frikësohet se ky i fundit do ta shfrytëzojë situatën për ta sulmuar sërish, pa u shqetësuar për sigurinë e pengjeve.
Për më tepër, Hamasi nuk është ftuar në negociatat për kushtet e marrëveshjes. Tani përballet me një ultimatum: ose e pranon marrëveshjen, ose Izraeli do të “mbarojë punën”.
Duke marrë parasysh këtë asimetri, Hamasi mund të mendojë se rreziqet e pranimit janë më të mëdha se përfitimet, pavarësisht se plani ofron amnisti për luftëtarët që dorëzojnë armët.
Nga Izraeli kërkohet të bëjë disa kompromis, por sa realiste janë ato?
Për shembull, marrëveshja parasheh që Autoriteti Palestinez (AP) të rikthejë kontrollin mbi Gazën “në mënyrë të sigurt dhe efektive”. Netanyahu ka deklaruar më parë se nuk do ta pranojë këtë.
Gjithashtu, është vështirë të besohet se Netanyahu do të mbështesë një “rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze”, siç thuhet në plan – ai e ka kundërshtuar fort këtë më parë, madje edhe në fjalimin e fundit para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
3. Mungojnë detaje të rëndësishme
Strategjia për zbatimin e planit është tepër e paqartë. Nuk dihet asgjë për “Forcat Ndërkombëtare të Stabilizimit” që supozohet të zëvendësojnë ushtrinë izraelite pas tërheqjes nga Gaza.
Cilat vende do të marrin pjesë? Është qartë një mision shumë i rrezikshëm për personelin e përfshirë. Netanyahu ka përmendur më parë forca arabe që do të merrnin kontrollin në Gaza, por asnjë shtet arab nuk është ofruar ende.
Gjithashtu, plani nuk jep afate kohore për reformat e Autoritetit Palestinez, dhe as detaje se çfarë do të përfshijnë këto reforma.
Ka gjasa që do të nevojiten zgjedhje të reja për të vendosur një udhëheqës të besueshëm në vend të presidentit aktual Mahmud Abbas. Por si do të organizohen këto zgjedhje dhe a do të mund të marrin pjesë banorët e Gazës – kjo mbetet e panjohur.
Po ashtu, detajet për autoritetin civil që do të mbikëqyrë rindërtimin e Gazës janë shumë të vagullta. E vetmja gjë e ditur është se Trump do ta caktojë veten si kryetar të “Komitetit për Paqe” dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair do të jetë gjithashtu i përfshirë.
Ky komitet do të kishte nevojë për besimin absolut të qeverisë së Netanyahut dhe të Hamasit për të qenë efektiv. Dhe besimi është gjithmonë i pakët në Lindjen e Mesme.
4. Asnjë përmendje për Bregun Perëndimor
Bregu Perëndimor është një zonë shumë e tensionuar. Çdo ditë ndodhin përplasje midis kolonëve izraelitë dhe banorëve palestinezë – situatë që me gjasë vetëm do të përkeqësohet.
Vetëm muajin e kaluar, qeveria izraelite dha miratimin përfundimtar për ndërtimin e një vendbanimi të ri që do të ndante Bregun Perëndimor në dy pjesë, duke e bërë të pamundur një shtet palestinez të vazhdueshëm në të ardhmen.
Bregu Perëndimor duhet të jetë pjesë qendrore e çdo zgjidhjeje të plotë midis Izraelit dhe Palestinës.
5. Kabineti i djathtë ekstrem i Izraelit mbetet pengesë
Kjo mund të jetë pengesa përfundimtare: anëtarët e linjës së ashpër në kabinetin e Netanyahut – Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir – kanë thënë se nuk do të pranojnë asgjë më pak se shkatërrimin total të Hamasit.
Edhe nëse Hamasi çarmatoset dhe margjinalizohet politikisht sipas këtij plani, ideologjia e tij do të mbetet e paprekur, si dhe një numër i madh luftëtarësh.
A ka shpresë?
Nëse Hamasi e pranon planin e Trump, atëherë shumë nga këto pyetje mund të marrin përgjigje së shpejti.
Por do të kërkohet përpjekje e madhe nga SHBA për të mbajtur presionin ndaj Izraelit që të respektojë marrëveshjen. Ndërmjetësit kryesorë palestinezë – Katari dhe Egjipti – gjithashtu duhet të ushtrojnë presion ndaj Hamasit për të mos e shkelur marrëveshjen.
Netanyahu me shumë gjasë llogarit që do të ketë mjaftueshëm arsye për t’u tërhequr nga marrëveshja nëse Hamasi nuk e zbaton atë. Ai tashmë e ka bërë një herë këtë, kur u tërhoq nga armëpushimi në mars dhe vazhdoi operacionet ushtarake.
Në fjalimin e tij të zjarrtë para një salle gjysmë të zbrazët në OKB javën e kaluar, Netanyahu nuk dha asnjë shenjë se është i gatshëm të heqë dorë nga ndonjë prej “vijave të kuqe” që kishte vendosur më parë për ta përfunduar luftën. Përkundrazi, ai kritikoi shtetet që njohin shtetin palestinez dhe premtoi: “Izraeli nuk do t’ju lejojë të na impononi një shtet terrorist në fyt.”
Duke pasur këtë parasysh, Netanyahu me shumë gjasa nuk do ta kishte pranuar fare planin e Trump pa presion të drejtpërdrejtë nga presidenti amerikan.
Nga ana tjetër, Trump gjatë konferencës për shtyp me Netanyahun tha se nëse Hamasi nuk e zbaton marrëveshjen apo e refuzon atë, Izraeli do ta ketë mbështetjen e plotë të SHBA-së për ta “mbaruar punën” kundër Hamasit.
Ky premtim mund të jetë i mjaftueshëm për Netanyahun që të bindë Smotrich dhe Ben-Gvir të mbështesin planin – për momentin.
