Zv.Kryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka njoftuar sot se janë nënshkruar kontratat me komunat për 829 projekte të reja, me një vlerë totale prej rreth 15 miliardë denarësh, informon POPULLI.mk
“Sot është një ditë e rëndësishme për qytetarët dhe për të ardhmen e komunave tona. Me këtë hap të madh, po e konkretizojmë zotimin tonë për zhvillim të barabartë, investime reale dhe bashkëpunim të ndershëm mes pushtetit qendror dhe atij lokal,” deklaroi Mexhiti.
Sipas tij, Ministria e Mjedisit Jetësor kontribuon në këtë proces me projekte në vlerë prej rreth 2.5 miliardë denarësh, të cilat do të përfshijnë:
-
Përmirësimin e sistemeve të ujësjellësit dhe kanalizimeve;
-
Projekte për mbrojtjen e mjedisit dhe pastrimin ekologjik;
-
Investime në infrastrukturën e gjelbër dhe zhvillim të qëndrueshëm;
-
Planifikim hapësinor që reflekton nevojat reale të qytetarëve.
“Premtuam punë e zhvillim, dhe kjo po ndodh. Po sjellim ndryshime të prekshme në jetën e qytetarëve. Po e ndryshojmë mënyrën se si qeveriset ky vend: me përgjegjësi, me transparencë dhe me fokus të qartë tek qytetari. Po vendosim themelet e një zhvillimi të drejtë për të gjithë, pa dallim komune, partie apo përkatësie,” tha ministri Mexhiti. / © POPULLI.mk



