Alsat ka siguruar informacione jozyrtare sipas të cilave në kompaninë “EPTISA” si konzorcium franko-spanjoll, lider i ekipit menaxhues rezulton Branisllav Dimitrijeviq, i akuzuar në Armeni për “mashtrim”. Dimitrijeviq ndiqej penalisht për të paktën tri vepra penale. Nga Armenia ai ishte arratisur falë ndihmës së diplomatëve maqedonas të cilët atij i kishin siguruar një pasaportë diplomatike dhe e kishin evakuuar me aeroplan privat deri sa për të kishte masë kujdesi-mos largimi nga shteti armen. Nga të dhënat e siguruara, rezulton që Dimitrijeviq përveç si lider menaxhues i “EPTISA”-s rezulton edhe themelues i kompanisë “Euro Konsallting”, gjithashtu kompani e përzgjedhur për të mbikëqyrur konzorciumin i cili do të ndërtojë Korridorin 8 dhe 10-d në Maqedoni. Udhëheqës të kompanisë që nga qershori i vitit 2021 ai ka caktuar djalin e tij Zoran Dimitrijeviq.
Alsat ka siguruar informacionin se kompania “EPTISA” në vitin 2016 i është bashkëngjitur grupit të kompanive kineze “JSTI Group” si njëra nga kompanitë më të mëdha inxhinierike në botë. Nuk dihet nëse gjatë përzgjedhjes, Qeveria ka mbajtur llogari edhe për përcaktimet strategjike dhe parandalimin e shtrirjes së ndikimit kinez në vend.
Kompania e themeluar nga Dimitrijeviq “Euro Konsallting” në Maqedoni mësohet të ketë përfituar mbi 270 tenderë nga institucionet shtetërore dhe komunat. Vlera e tyre arrin mbi 4.5 milion euro.
