Shkruan Opinion Amir Shabani
Hakan Fidan sjell në tryezë një aftësi shumë unike dhe do të ketë një tranzicion shumë të qetë nga shef i intelegjencës në kryediplomat. Kjo lëvizje nuk është e paprecedentë, pasiqë në të kaluarën ka pasur zyrtarë të nivelit të lartë të inteligjencës që kanë kaluar në diplomaci ose janë bërë president shtetesh që udhëheqin diplomacinë, siç ishin/janë: H.W. Bush, Putin, Pompeo dhe Cohen.
Përveç detyrave të përgjithshme të shefit të inteligjencës, presidenti Erdogan e kishte shfrytëzuar vazhdimisht Hakan Fidan në cilësinë diplomatike gjatë viteve për të zhvilluar dialog me vendet me të cilat Turqia kishte acaruar marrëdhëniet, siç janë: Siria, Libia, Egjipti, Izraeli dhe Gjiri. Pjesa më e madhe e kësaj diplomacie e zhvilluar nëpërmjet Hakan Fidanit hapi derën për normalizim dhe në përgjithësi ishte kanali i vetëm diplomatik midis Turqisë dhe këtyre vendeve.
Pra, siç mund të vërehet, ai nuk është i huaj për diplomacinë dhe ka shumë përvojë me dosje të ndjeshme dhe duke punuar në marrëdhënie që kanë qenë të tensionuara. Fidani është padyshim një ekspert i dosjes së MENA-s (Middle East and North Africa), veçanërisht Sirisë. Presidenti Erdogan parapëlqen ta zhvillojë diplomacinë dhe përvoja e inteligjencës dhe puna e ngushtë e Hakan Fidanit me shërbimet e sigurisë dhe intelegjencës do të jetë ndoshta një pasuri e madhe në sinergjimin e diplomacisë me mbrojtjen.
Ministri i ri i Jashtëm ka qenë gjithashtu një pjesëmarrës prej kohësh në grupin kryesor të këshilltarëve të Erdoganit që i bashkohet presidentit në çështjet dypalëshe të nivelit të lartë. Fidani mund të shihet vazhdimisht në fotot e takimeve me SHBA-në, Rusinë, Britaninë e Madhe dhe vende të tjera të mëdha.
Si institucion, Ministria e Jashtme e Turqisë ka shumë byrokratë të talentuar, të cilët i japin asaj përjetësi dhe do t’i japin Fidanit një sistem të fortë mbështetjeje. Në përgjithësi, emërimi i tij në krye të diplomacisë turke mund të shihet si një shenjë se Erdogan do t’i japë përparësi çështjeve të vështira si Siria, Libia, Iraku dhe Ukraina gjatë 5 viteve të ardhshme pasi këto dosje, me shumë mundësi janë pjesë e ekspertizës së Fidanit. Pritet gjithashtu që Hakan Fidan të jetë aktiv në dosjet e Kaukazit Jugor dhe Ballkanit, pasi zona e parë ka paraqitur një dritare mundësie për paqen, ndërsa zona e dytë po tensionohet çdo ditë e më shumë, siç mund të vërehen nga gjendja aktuale mes Kosovës dhe Serbisë.
Sa i përket dosjeve të mëdha si SHBA-ja, Rusia, Kina dhe BE-ja, Erdogan ka preferuar gjithmonë diplomacinë e lidershipit për dialog dhe vendimet e tij në këto marrëdhënie, gjë që me shumë gjasa nuk pritet që presidenti të ndryshojë stilin e angazhimit që ai ka përdorur për dy dekadat e fundit.
