Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve t’i bashkohen “rrugës së re”, pavarësisht bindjeve e dallimeve që mund t’i kenë, si “rrugë e domosdoshme për vendin”.
Abdixhiku ka nisur një sërë takimesh gjatë muajit të fundit në atë që e ka quajtur si “rruga e re”, por siç thotë ai, “pa kryeministrin Albin Kurti në të”. Kryetari i LDK-së u takua me opinionistë, gazetarë, organizata të shoqërisë civile, ligjërues universitarë dhe me bizneset kryesore në vend.
Përmes një video në Facebook, Abdixhiku ka theksuar polarizimin e skajshëm dhe përçarjet e thella në shoqëri. Dhe për këtë, ai thekson se ka nisur një angazhim për ta gjetur një mes – siç është, sipas tij, “rruga e re”.
“Kam nisur këtë angazhim duke thënë se na duhet një rizgjim kolektiv për rrugën që vendi ynë duhet ta bëjë. Se rrugët e deritanishme po na mbajnë peng në të shkuarën e assesi nuk po na ndërtojnë të ardhmen. Pushteti po na ndanë, po na përçanë, po na lë në të njëjtin vend. Përplasjet na çojnë çdo ditë, krizat po aq shpesh, e ne jemi shndërruar në spektatorë të fatit tonë teksa njerëz me plot urrejtje a pa vullnet për punë vendosin për ne”, ka thënë ai.
Në takimet e fundit, Abdixhiku ka thënë se ka vërejtur potencialin e jashtëzakonshëm që Kosova ka si shtet dhe “masën kritike që mund ta shtrojë këtë rrugëtim”.
“Mbi të gjitha kam parë jo vetëm shqetësimin që të gjithë bashkërisht e kemi për fatin e Republikës, por dhe vullnetin për të ndryshuar politikën tonë rrënjësisht. Sot, përbashkimi me Rrugën e re është detyrim i secilit në vend; i mjekëve, mësuesve, punëtorëve, ndërmarrësve, studentëve e vet popullit të Kosovës që rrugën e paqes, zhvillimit e vet mirëqenies duhet ta përcaktojë në këtë moment. Prandaj, pavarësisht bindjeve tuaja, pavarësisht vështirësive që kemi, pavarësisht dallimeve që mund t’i gjejmë, le të gjejmë angazhimin e përbashkët për Kosovën, shtetin tonë, Republikën tonë”, ka thënë ndër të tjera kryetari i LDK-së.
Abdixhiku ka paralajmëruar se do të ketë takime të radhës dhe do të vazhdojnë të shpalosin ide në programin e “rrugës së re”.
Burimi © KOHA.net
