Viti i ri shkollor në Maqedoninë e Veriut do të fillojë, por ata që më së shumti do të preken nga kjo situatë do të jenë nxënësit për shkak të mungesës së materialeve shkollore, gjegjësisht librave, informon POPULLI.mk
Është turp që në vitin 2023 nxënësit të kenë mungesë të librave në çantat e tyre. Është turp i madh që në shekullin 21 ende të flasim për mos sigurimin e teksteve shkollore. Në një vend ku pretendohet se po shkohet drejt Europës, ende nxënësit kanë probleme me librin, gjënë më të shtrenjtë për një vogëlush i cili fillon t’i mësojë shkronjat dhe ta fillojë rrugëtimin drejt thithjes së dijes.
E njëjta situatë po ndodh edhe në Kosovë. Nga Ministria e Arsimit kanë thënë se tekstet shkollore do t’iu dhurohen falas nxënësve, ndërsa vetëm para disa ditëve po këta të fundit thanë se në mungesë të librave prindërve do t’u dhurohen para në xhirollogari për blerje të teksteve shkollore për fëmijët e tyre.
Në çfarë drejtimi po shkojmë! A mund të na pranojë Europa kështu, të pa lexuar, të pa informuar, pa nxënie të dijes. Më e keqja është se kur e shikon kush udhëheq me këto dikastere, atëherë bëhemi turp i botës. Premtime të shumta, realizime thuajse aspak! E pësojnë qytetarët, e pësojnë gjeneratat e ardhshme, e pësojnë të gjithë nga disa persona të papërgjegjshëm të cilët synim kryesor kanë vetëm pushtetin dhe jo rritjen e cilësisë në arsim, në ekonomi, shëndetësi etj..
© POPULLI.mk
