Partia e re “Lëvizja Demokratike” thotë se viti i ri shkollor në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nuk do të jetë i njëjtë me atë paraprak, përkundrazi edhe më i keq dhe më me shumë mungesa, për shkak të siç thonë, politikave dështuese të ministrisë përkatëse dhe sidomos BDI-së, arsimi shqip vazhdon të rrënohet dhe të degradohet në përmasa tragjike.
“Edhe sivjet, siç është paralajmëruar, do të kemi pakësim të filloristëve shqiptarë, për shkak të ikjes masive të familjeve shqiptare jashtë shtetit për ta siguruar kafshatën e gojës. Dhe ky fakt askënd nga pushtetarët shqiptarë nuk e brengos, pavarësisht të dhënave trishtuese për pakësimin alarmant vit pas viti. Kjo mungesë, fatkeqësisht do të bëjë që edhe shumë arsimtarë të mbeten pa punë. Mungesa e vizionit dhe nëpërkëmbja e arsimit shqip shumë shpejtë do të reflektohet me fillimin e mbylljes së shkollave për shkak të mospasjes nxënës”.
