3.8 C
Skopje
E premte, 27 Mars, 2026

BE mund ti vendosë masa shtesë Kosovës

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka theksuar të premten se shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, dje nuk ka thënë se dialogu ka dështuar, por se ky rund i dialogut nuk ka sjellë rezultate, sepse palët nuk janë pajtuar. Ai ka paralajmëruar se nëse situata vazhdon kështu, atëherë shtetet anëtare mund të shqyrtojnë vendosjen e masave shtesë për secilin palë që konstatohet se s’po bën mjaftueshëm për shtensionim të situatës.

BE-ja vendosi masa ndaj Kosovës gjatë korrikut për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria për uljen e tensioneve në veri. Masat përfshinin pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Pavarësisht dakordimit për shtensionim, masat janë ende në fuqi.

Stano ka theksuar se BE-ja nuk është palë në dialog, pas akuzave të kryeministrit Albin Kurti se qëndrimet e Serbisë janë bërë qëndrime të BE-së pas takimit të djeshëm në Bruksel.

“Me fjalë të tjera, ne ndihmojmë për të kapërcyer dallimet, por nuk do të kemi sukses derisa palët të jenë gati për kompromis. Ne duam të ndihmojmë, por nëse ju doni të ndihmoni dikë dhe dikush nuk dëshiron të ndihmohet, çfarë mund të bëni?”, ka thënë Stano në një konferencë për media.

Ai po ashtu ka thënë se Borell dje i ka paralajmëruar Kosovën dhe Serbinë se rrezikojnë të mbesin në një situatë ku të gjithë rreth tyre në rajon po bëjnë përparim në negociatat me BE-në, ndërsa ato s’po lëvizin për shkak të dialogut.

Sipas tij, i dërguari special për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, ka nisur t’i informojë shtetet anëtare për takimin e djeshëm, dhe pas analizës, shtetet anëtare do të vendosin se çfarë do të ndodhë më pas.

Stano ka potencuar se gjithmonë ekziston mundësia e vendosjes së masave shtesë nëse ndonjë nga 27 anëtaret e BE-së nuk e sheh se është bërë mjaftueshëm për shtensionimin apo e provokon edhe më shumë situatën në veri.

“Nëse ndonjë anëtar i BE-së nuk sheh hapa për shtensionim, mund të futen masa shtesë, por edhe për palën tjetër. Ky është një proces që anëtarët po e ndjekin, nuk janë të kënaqur me zhvillimin e ngjarjeve. Ata kishin pritshmëri të ndryshme dhe nëse situata vazhdon të zhvillohet kështu, do të sjell përgjigje më specifike për pyetjen tuaj nëse do të ketë masa shtesë”, ka thënë Stano.

Të ngjajshme

Të fundit