Greqia i është bashkuar letrës së 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që do të ftojnë Shqipërinë të çelë kapitujt e parë të bisedimeve të anëtarësimit në BE.
Burime të besueshme diplomatike i thanë RTSH se takimi i të mërkurës ka përfunduar me përfshirjen e Greqisë në vendimin evropian për Shqipërinë.
Ashtu siç paralajmëruan vetë mediet greke, fqinji jugor i Shqipërisë nuk u pranua nga instancat evropiane të vërë veton në këtë fazë, e cila, sipas legjislacionit evropian, nuk i la shteg Greqisë që të mbivendosë çështje të trajtimit të pakicave kombëtare mbi ato të shtetit të së drejtës.
Përveç interpretimit ligjor, një tjetër aspekt procedurial i njoftuar pak ditë më parë, ai i shqyrtimit të përputhshmërisë i njohur si ‘screening’, rezulton në grupkapitullin e marrëdhënieve me jashtë i mbyllur pa rezerva, çka nuk e lejon po ashtu Greqinë të ngrejë pretendime të tjera në këtë fazë që është Shqipëria.
Hartimi i dokumentit letër që e fton Shqipërinë në këtë proces, është pjesë e përgatitjes së agjendës së takimeve të dhjetorit në Bashkimin evropian, gjatë të cilit pritet deklarimi zyrtar nga Këshilli Evropian.




