Me afrimin e datës për Qeverinë teknike, në Maqedoninë e Veriut veçse kanë filluar kalkulimet politike për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare, shkruan POPULLI.mk
I vetmi që momentalisht ka lënë episodin e papërfunduar është Arben Taravari, kryetari i ASH-së, i cili herë shihet bashkë me koalicionin LEN, e herë duke diskutuar me “Frontin Evropian”.
Brenda ASH-së ndodhet një bombë e vërtetë që ende nuk dihet edhe sa kohë do të shpërthejë. Koalicioni opozitar LEN mezi po pret që të bëhet e ditur e ardhmja e ASH-së, ose më saktësisht Arben Taravarit i cili shumë herë e ka kritikuar BDI-në duke e quajtur edhe kancer i shoqërisë. Kjo lë të nënkuptojmë se ai medoemos e dëshiron daljen nga Qeveria për t’u bashkuar me opozitën por assesi me të nuk pajtohen Ziadin Sela e Krenar Lloga dhe disa tjerë bashkëpartiakë të tij.
Se si do të zhvillohet ky serial në fushatën zgjedhore, na lë në një ankth të paparë duke e ditur se asnjëherë nuk ka qenë kaq kritike situata. BDI-LSDM-ASH në njërën anë dhe në anën tjetër Koalicioni LEN. Partitë tjera më të vogla si PDE dhe LP thuhet se janë në anën e “Frontit Evropian” por duke i parë rrethanat se si kanë shkuar dikur mund të ketë edhe kalkulime tjera politike. Pra do të kemi mundësinë që t’i shohim disa episode të këtij seriali me më shumë aksione brenda vetes.
© POPULLI.mk
