33.8 C
Skopje
E diel, 16 Gusht, 2026

Politikanët urojnë festën e Kurban Bajramit

Politikanët në Maqedoninë e Veriut sot kanë uruar festën e Kurban Bajramit, informon POPULLI.mk

Më poshtë i keni disa nga urimet e tyre:

ALI AHMETI:

Të nderuar besimtarë,

Festat tona të Bajramit janë çaste të freskisë shpirtërore, çaste reflektimi mbi madhështinë e veprës së mirë konform vlerave më të larta të besimit, respektit dhe solidaritetit mes njëri – tjetrit.
Dita e sotme festive le të jetë frymëzim për praktikimin e veprave të mira, shtrirjen e dorës së ndihmës dhe mbështetjes, hapërimit drejt horizonteve të përparimit!
Qofshin gjithmonë të bekuara vatrat tuaja familjare nga mirësitë e Zotit!
Gëzuar Kurban Bajramin!
IZET MEXHITI:
Të nderuar miq,
Për shumë vjet gëzuar Kurban Bajramin!
Shëndet, paqe e mbarësi paçi gjithmonë në familjet e juaja të nderuara!
ARBEN TARAVARI:
Gëzuar festën e Kurban Bajramit!
Uroj më të mirat për të gjithë ne por sidomos Uroj Ta Duam Më Shumë Njëri-Tjetrin!
Qofshin zemrat tona ngrohur nga Drita e Zotit!
TALAT XHAFERI:
Festa e madhe e Kurban Bajramit, le të jetë shkas për tu tubuar rreth gjirit familjar, për të ndarë gëzimet, sukseset, por edhe brengat dhe shqetësimet, sepse familja është bërthama thelbësore dhe qeliza prej të cilës fillon dhe ndërtohet një shoqëri e shëndoshë, me vlera dhe standarde pozitive.
Le të jetë gëzuar dhe për shumë vite festa e Kurban Bajramit!
BILALL KASAMI:
Të dashur vëllezër e motra,
më lejoni t’ju uroj festën e Kurban Bajramit!
Kjo ditë madhështore na kujton sakrificën që paraardhësit tanë kanë bërë ndaj Krijuesit, por edhe na mëson se si të jemi më afër me njëri tjetrin, sidomos në ditë të vështira, të jemi më human, më të dashur e më të përgjegjshëm, si për më të dashurit dhe familjen ashtu edhe për kombin.
Uroj që kjo festë t’ju gjej pranë më të dashurve, me plotë begati e të mira.
Gëzuar!
AFRIM GASHI:
Të dashur besimtarë myslimanë, festa Bajramit të Kurbanit është ndër festat më kuptimplote që flet me historikun e saj të flijimit të më të dashurës dhe më të shtrenjtës për idealet më të larta e sublime. Ngjarja e babait të monoteizmit, Ibrahimit, me të birin e tij, Ismailin, është jo vetëm skena më prekëse në shiritin e historisë, por është edhe ngjarja më mbresëlënëse në kuptim të gatishmërisë së njeriut për të flijuar dhe për t’u flijuar për një premtim dhe për një vlerë të përtejme. Pas tyre krejt historia është ndërtuar me personazhe që kanë flijuar e janë flijuar në emër të një ideali dhe një besimi. Ndryshe kjo botë nuk do të ishte kjo që është dhe ne nuk do të ishim këtu ku jemi.
E duke i ndërmendur të gjithë ata etër të vendit tonë e të kombit tonë, që me veprën e tyre ose, shprehur me gjuhën e kësaj feste, me kurbanin e tyre na kanë mundësuar të kemi një jetë të dinjitetshme e paqësore, uroj që kjo festë t’ju ketë gjetur pranë sofrave familjare, duke i uruar e duke i përqafuar të dashurit tuaj, duke u kujdesur për nevojtarët e duke u solidarizuar me ata që nuk kanë nevojë vetëm për bukë, por edhe për buzëqeshje.
E gëzofshi për jetë të jetëve Bajramin e Kurbanit!
Afrim Gashi
Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut