11.8 C
Skopje
E premte, 10 Prill, 2026

Rikthimi i shtetësisë së Kosovës mund të rikthehet pa pagesë

Pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që të gjithë qytetarët e Kosovës që për arsye të ndryshme kanë qenë të detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës mund ta rikthejnë atë përmes procedurave të lehtësuara, të shpejta dhe pa asnjë pagesë.

Lajmin e ka bërë të ditur këshilltari në MPJD, Leutrim Sahiti, se kjo procedurë do të bëhet pa pagesë.

“370, 250 dhe 200 euro, ishin tarifat për rikthimin e shtetësisë së Kosovës, varësisht nga shteti ku bëhej aplikimi. Sot mërgimtarët mund të rikthejnë shtetësinë e Kosovës, shpejtë, lehtë dhe pa asnjë pagesë”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’.

Ndërsa, për ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, rikthimi i shtetësisë së Kosovës është një akt jo vetëm simbolik, por edhe lidhet me të drejtat e qytetarëve.

“Lidhet me shumë të drejta që janë të rezervuara vetëm për qytetarët e Kosovës, si e drejta për të votuar dhe për t’u votuar. Kosova ka nevojë për ju. Prandaj, aplikoni sa më parë pranë konsullatave tona ose në komunën prej nga vini dhe bëhuni sërish shtetas të Republikës së Kosovës!”, thotë Gërvalla.

Vetëm në vitin e 2021-së, mbi 5 mijë qytetarë të Kosovës kishin hequr dorë nga shtetësia, ndërsa plot rreth 570 persona kishin kërkuar azil në Kosovë, ndryshe nga viti 2020, kur ky numër ishte 1 mijë e 500.

Të ngjajshme

Të fundit