Zv/kryeministri i parë, Izet Mexhiti sot në seacën solemne të Qeverisë me rastin e 23 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit përmendi disa tema të cilat kjo Qeveri i ka prioritet, shkruan POPULLI.mk
“Qeveria e re e vendit ka treguar kapacitet të jashtëzakonshëm për respektimin e Marrëveshjes së Ohrit, një marrëveshje e paqes që ka rëndësi kyçe për stabilitetin dhe zhvillimin e shtetit. Ky angazhim dëshmon përkushtimin ndaj insitucionalizimit, duke lënë pas praktikat e së kaluarës që fokusoheshin më shumë në ahengje dhe koncerte, dhe duke e vendosur vëmendjen në ndërtimin e institucioneve të forta dhe funksionale.”, ka thënë Mexhiti.
Ndërkohë Mexhiti përmendi edhe fazën e re të Decentralizimit. “Një tjetër hap i rëndësishëm është faza e re e decentralizimit fiskal, e cila konsiderohet një zgjidhje sistemore për përmirësimin e jetesës së qytetarëve. Kryeministri ka ndarë 1 miliard euro për komunat, një fond që do të mbështesë decentralizimin dhe do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët. Komunat, që janë dera e parë për qytetarët, do të përfitojnë nga ky fond, duke u siguruar që bartja e obligimeve dhe problemeve të shoqërohet edhe me transferimin e fondeve të nevojshme.”
Gjithashtu Mexhiti potencoi se cilat janë shtyllat kryesore të kësaj Qeverie.
“Qeveria e re e vendit e ka bërë të qartë se shtyllat e saj kryesore do të jenë lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe decentralizimi, duke ofruar një qasje të balancuar dhe të përgjegjshme për të ardhmen e vendit.” / © POPULLI.mk




