4.8 C
Skopje
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Niset një grup i emigrantëve nga Italia në Shqipëri

Mediat italiane kanë zbuluar në orët e mbrëmjes numrin e emigrantëve që janë nisur sot me anijen e parë drejt Shqipërisë. Nga sa mësohet nga “Ansa”, në bordin e anijes “Libra” të Marinës ndodhen 16 emigrantë të nisur drejt Shqipërisë, ku do të transferohen në qendra të hapura nën juridiksionin italian. 10 prej tyre janë nga Bangladeshi dhe 6 egjiptianë.

Anija e parë nga Italia me emigrantë që do të vendosen në kampin e Gjadrit është nisur sot nga Italia.

Refugjatët e hipur në anijen “Libra” të Marinës Italiane, të gjithë meshkuj, janë shpëtuar në det të hapur gjatë javëve të kaluara, njofton gazeta “La Repubblica” më herët, dhe në Shqipëri do të kontrollohet aplikimi i tyre për azil në Itali.

Ndërsa gratë dhe të miturit, apo personat e sëmurë, janë dërguar në Lampedusa.

Sipas gazetës italiane, personave në bord iu është bërë një kontroll paraprak, ndërsa në kampin e Gjadrit do t’i nënshtrohet një kontrolli më të thelluar për të verifikuar nëse do të përfitojnë apo jo azil në Itali.

Operacioni i nisur pas nënshkrimit të një marrëveshjeje mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare është kundërshtuar nga Gjykata Europiane e Drejtësisë, me argumentin se shtetet e origjinës së listuar si të sigurt nga Italia nuk përbëjnë shkak për të mohuar kërkesën për azil në rast se azilkërkuesi ka pësuar tortura apo trajtime çnjerëzore. Dhe nëse vendimi do të konfirmohet, atëherë, shkruan “La Repubblica”, numri i refugjatëve në Gjadër do të ishte shumë i vogël.

Ndërkohë, organizata joqeveritare “Sea Ëatch”, e njohur për kontributin e saj në shpëtimin e emigrantëve në det, ka kritikuar nismën e Melonit. “Qeveria e vetëshpallur patriote e Melonit po shpenzon miliona euro për të burgosur mijëra emigrantë në Shqipëri. “Paratë e taksapaguesve mund të ishin përdorur më mirë”, thuhet mes të tjerash në postim.

I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i kryeministres, e cila deklaron se ka marrë një mandat të qartë nga qytetarët italianë për të mbrojtur kufijtë dhe për të ndaluar trafikun e qenieve njerëzore.

“Çfarë skandali! Një qeveri që – me një mandat të qartë të marrë nga qytetarët – punon për të mbrojtur kufijtë italianë dhe për të ndaluar trafikun e qenieve njerëzore, përmes veprimeve konkrete dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, shkruan Meloni.

Të dielën, kryeministri Rama tha në një intervistë pikërisht për “La Repubblica” se refugjatët nuk do të kenë asnjë mundësi për të dalë nga kampi ku do të vendosen. “Marrëveshja parashikon që emigrantët nuk mund të largohen nga kampi dhe të udhëtojnë lirshëm në Shqipëri. Nëse kjo do të ndodhte, një plan veprimi i miratuar do të vihet në lëvizje. Do të shqetësohem nëse dhe kur ka arsye për t’u shqetësuar, dhe vetëm nëse Italia na kërkon të ndajmë shqetësimin. Deri atëherë, nuk jam i shqetësuar”, thotë Rama.

Të ngjajshme

Të fundit