-3.2 C
Skopje
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Çmimin e parë për skulpturë tradicionale e fiton Destan Gashi me veprën, “Hasjanja duke i dhënë gji fëmiut”

Është kënaqësi e pa përshkruar, nderim dhe vlerësim për një artist që jeton larg atdheut, kur e vlerëson dhe nderon atdheu i tij. Atdheu të cilin e ëndërron, e ka në mendje dhe zemër, është tringëllimë e daltës së tij, tek skalitë gurin për të nxjerrë figurën e femrës shqiptare, e shumë e shumë skulpturave të tjera që ‘flasin e frymojnë’ shqip në shumë vende të botës…

Destan Gashi, maestro i skulpturës nga Kosova me vendbanim në Austri, kësaj radhe ishte pjesëmarrës i Bienales se Skulpturës “ Skulpt- Fer”, edicioni i dytë me radhë, i cili mbahet në qytetin e Ferizajt.

Në këtë edicion janë dorëzuar 55 vepra skulpturale nga 30 autorë nga qytete të ndryshme nga Kosova dhe Shqipëria dhe një artist nga Austria.

Skulptori i mirënjohur nga Kosova ( Zoqishtë – Rahovec) me vendbanim në Austri (Vjenë), Destan Gashi, me tri skulpturat e tij të skalitura në gur, mahniti artdashësit e shumë.

Jetullah Sylejmani, kurator i ekspozitës, në katalogun e ekspozitës e vlerëson:

“Një nga artistët që kemi nderin dhe privilegjin ta kemi në këtë edicion është skulptori i njohur shqiptar Destan Gashi, mjeshtër i madh i skulpturës me shumë suksese në botë.

Destani në këtë bienal prezantohet me tre vepra skulpturale në mermer “ Hasjanja duke i dhënë gji fëmiut”, “Hasjanja nga Demjani me djep” dhe “Bukatorja” ku vihet re se artisti është frymëzuar nga kultura dhe veshja tradicionale e grave nga Hasi, duke shfaqur një dashuri nostalgjike për traditën shqiptare. Këto punime janë realizuar me një studim, ndjeshmëri emocionale dhe ndjeshmëri të veçantë në skalitje të gurit”.

Skulpturat mahnitëse të Destan Gashit u vlerësuan nga pjesëmarrësit dhe juria profesionale në përbërje: Ismet Jonuzi, kryetar i jurisë, Adem Rusinovci dhe Ardian Kadriu, duke i ndarë Çmimin e parë për Skulpturë Tradicionale “ Skulpt – Fest” për veprën me titull “Hasjanja duke i dhënë gji fëmiut”, ndërkaq çmimi i dytë për Skulpturë Bashkëkohore iu nda dy artistëve: Dardan Murselit për veprën “ Pa titull” dhe Butrint Morinës për veprën “The milky way”.

Ekspozita do të jetë e hapur deri me 29 dhjetor, nga e hëna në ditën e premte prej orës 8:00 deri në ora 16:00.

Të ngjajshme

Të fundit