3.8 C
Skopje
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Nga akuzat për Kurtin te justifikimet për Radoiçiqin, Haradinaj nën lupë publike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj si duket e kanë “aktivizuar” zgjedhjet e radhës.

Kjo pasi deklaratat kundër qeverisë Kurti 2 dhe premtimet e njëpasnjëshme i ka bërë të pandashme në paraqitjet e tij publike.

Por, nga ‘hovi’ për të arritur në pushtet në disa deklarata ai po pranon shumë gjëra që po kuptohen mes rreshtave.

Ai së fundmi ka qenë në një tubim me mërgatën në Gjermani, ku ka folur për raportin që ka pasur me tashmë kriminelin serb Milan Radoiçiq.

Haradinaj e ka pranuar se është takuar me Milan Radoiçiqin në kohën sa ka qenë në qeverisje, porse ka theksuar se situata në atë kohë ka qenë krejtësisht ndryshe.

“Në kohën e qeverisjes Haradinaj, policia ka shkuar e ka marrë një zyrtar të Serbisë e ka pru në Prishtinë dhe e ka përcjellë në kufij. Ju kujtohet që Radojçiq që tash është bo kaq i zoti, ka qenë një prej atyre. Policia ju ky hy në shtëpi në qeverisjen time”, ka thënë Haradinaj.

Tutje, ai ka thënë se në kohën e qeverisjes së tij, Radojçiq kishte ikur dhe nuk ishte kthyer më në Kosovë.

Mirëpo, kujtojmë që Haradinaj në vazhdimësi e ka akuzuar Kurtin për kinse ka lidhje të fshehta me Serbinë, derisa ka mohuar në vazhdimësi që do të kishte ndonjë bashkëpunim me të njëjtit.

Si mund të cilësohet tani një deklaratë kaq e ‘arsyetuar’ nga Haradinaj kur bëhet fjalë për Radoiçiqin?

Qarri: Ramush Haradinaj, mendon se duke iu “kundërpërgjigjur” kinse “akuzave” se gjatë qeverisjes së tij është takuar me Milan Radojçiq, ka dhënë të gjitha përgjigjet

Gani Qarri

Foto galeri

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Analisti tregoni një kronologji të situatës dhe raporteve që Haradinaj ka pasur me kriminelin Radoiçiq.

Sipas tij, Ramushi nuk hezitoi që po këtë kryekriminel dhe udhëheqës të terroristëve serb, ta priste me nderime shtetërore edhe në zyrën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, duke kriminalizuar qeverisjen e PAN-it.

“Nuk e kuptojë dhe as që mund ta marrë me mend, se si gjejnë këtë lloj guximi, të mos e quaj edhe çmenduri totale, njerëz si Haradinaj & Co, që ta nënçmojnë kaq rëndë, inteligjencën e qytetarëve, tregtarët me damkë, të njohur botërisht për pazaret me shtetin dhe tokat e Kosovës.

Ramush Haradinaj qysh para 7 vitesh, apo edhe më herët, ka filluar publikisht takimet e hapura me kryekriminelin serb Millan Radoiçiq, në restorantet e Prishtinës si ai “Tifany”, e më vonë Ramushi nuk hezitoi që po këtë kryekriminel dhe udhëheqës të terroristëve serb, ta priste me nderime shtetërore edhe në zyrën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, duke kriminalizuar qeverisjen e PAN-it, para ndërkombëtarëve dhe qitur faqen të zezë, para gjithë botës, shtetit të Kosovës!

Madje përveç arsyetimit të pazareve me tokat e Kosovës, i cili për të përfituar për disa muaj, karrigen e kryeministrit në kohën e qeverisë së PAN-it, që u dëshmua si qeveria e maskarallëqeve më të turpshme dhe e katapultuar në pushtet nga një dorë e fortë, enkas për faljen e 8300 hektarëve tokë autoktone të Kosovës, Malit të Zi, kryerjen e pagesave me parat e taksapaguesve tanë, firmave të huaja, si ajo franceze Majorelle PR & Events, për propagandimin konspirativ të ndarjes së Kosovës në kryeqytetet botërore nga e ashtuquajtura ministre për “integrime” evropiane në qeverinë obskurantiste të PAN-it si dhe për ti mbuluar aventurat dhe bisedimet konspirative të Hashim Thaçit me Vuçiqin, për ndarjen e Kosovës”, shpjegoi analisti.

Planet e Haradinajt me Radoiçiqin

Qarri tutje thekson që Haradinaj duhet të jep shumë përgjigje për dëmet që i ka bërë Kosovës.

“Ramush Haradinaj, mendon se duke iu “kundërpërgjigjur” kinse “akuzave” se gjatë qeverisjes së tij është takuar me Milan Radojçiq, ka dhënë të gjitha përgjigjet, ai duhet të përgjigjet edhe në shumë pyetje të hapura dhe të ngelura peng, qysh nga koha e luftës dhe pas saj, se kush dha urdhër për dorëzimin e armatimit nga korriku deri në fundshtator dhe fillim të tetorit 1998, në Rrafsh të Dukagjinit, pse nuk u mor askush në përgjegjësi për këtë akt monstruoz tradhtie kombëtare, si u shpallën heronj, pas lufte, pikërisht ata të cilët festonin dorëzimin e armatimit me raki, muzikë serbe dhe mish dashi, në darkat e organizuara për policin më famëkeq dhe kriminelin e Millosheviqit, që keqtrajtoj, dëboi nga shtëpitë e veta dhe vrau shqiptarët e pafajshëm Millutin Preshqeviqin.

Madje sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, Ramushit me shokë, shihet qartë se jo vetëm që nuk janë penduar, për pazaret me tokat tona autoktone, por edhe u ka ngelur shumë peng i madh, pse nuk arritën ta kënaqnin edhe Serbinë me tokat dhe pasuritë më jetike të Kosovës, pasi ia falën Maqedonisë mbi 2500 hektar tokë, tek pjesa më strategjike kufitare e Debëlldesë, 8300 hektar tjerë, përfshi Kullën Zhlebin e Çakorrin, Malit të Zi, por nuk arritën ta qonin nderi në fund aventurën e Hashim Thaçit, përkundër bisedave të tij të fshehta me Aleksandër Vuçiqin, për ndarjen e Kosovës.

Prandaj Ramushi e ka për obligim, dhe tanimë është koha ti thotë të gjitha, përndryshe herët a vonë, ai do tu jap përgjigje edhe veprimeve tjera konspirative në dëm të shtetit të Kosovës, veçanërisht për bisedimet e fshehta të Thaçit me Vuçiqin, për ndarjen e Kosovës dhe përpjekjet për faljen e veriut të vendit tonë, Serbisë hegjemoniste, siç u vërtetua jo nga Ramushi, Thaçi as PDK, AAK apo edhe LDK e Isa Mustafës, por nga letra “konfidenciale” e ish negociatorit britanik të Bashkimit Evropian në Bruksel Robert Cooper, të angazhuar nga Baronesha Ashton, në bisedimet Kosovë-Serbi”, potencoi Qarri.

Heshtja e Thaçit dhe Haradinajt për planet e ndarjes së Kosovës

Nga ana tjetër analisti kujton kohën kur u fshehën planet për ndarjen e Kosovës nga Thaçi dhe Haradinajt, e disa nga LDK.

“Andaj arsyetimet më tepër se të habitshme të Ramush Haradinajt, se kur ai, e takonte kryekriminelin Millan Radojçiq, kanë qenë kohë tjera, jo vetëm që nuk pi ujë fare”, shton tutje Qarri.

“E derisa Ramush Haradinaj vazhdon të heshtë edhe mbi 25 vite pas përfundimit të luftës, ishte tetori i vitit 2018 kur ish-negociatori britanik për bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, pati shokuar gjithë opinionin publik vendor e ndërkombëtar duke zbuluar mbajtjen e takimeve sekrete të Hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiqin, për ndarjen e Kosovës, aventurë e rrezikshme, e dëshmuar nga letra konfidenciale e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, e cila nxirrte për fushe prapaskenat e negociatave konspirative që, atëbotë zhvilloheshin fshehurazi dhe prapa shpinës së qytetarëve të vendit, ndërmjet Thaçit e Vuçiqit, për ndarjen e Kosovës.

Po megjithëse Ramushi ishte dhe është në dijeni të plotë, për të gjitha sa kanë ndodhur, ai jo vetëm që heshti e nuk reagoi atëherë, por dhe nuk ka dhënë sqarime për qytetarët e Kosovës kurrë dhe asnjëherë, sot e asaj dite….

Konstatimet e letrës së z. Robert Cooper, për bisedimet e fshehta të Hashim Thaçit me Serbinë për ndarjen e Kosovës, u bënë publike, ende pa kaluar as 3 muaj të plotë, nga takim i Alpbachut në Austri, ku Hashim Thaçi me 25 korrik të vitit 2018, kërkoi publikisht para kamerave televizive, ndarjen e Kosovës!

Dhe përveçse nuk u bënë të ditura nga Thaçi e partia e tij, ato nuk u zbuluan as nga Ramush Haradinaj, apo LDK që bashkëpunonte me ta, ndaj u dashtë të nxirreshin në shesh, nga vet negociatori britanik z. Robert Copper, me rastin e një vizite që anëtarët e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, zhvilluan me 17 dhe 18 tetor, të vitit 2018, në Serbi!

Andaj arsyetimet më tepër se të habitshme të Ramush Haradinajt, se kur ai, e takonte kryekriminelin Millan Radojçiq, kanë qenë kohë tjera, jo vetëm që nuk pi ujë fare, por edhe janë arsyetime kalamajsh, e madje edhe shumë qesharake për njerëz serioz dhe persona të rritur”, foli tutje analisti.

Autorët deshën – s’deshën, një ditë duhet të japin përgjegjësi, qoftë edhe Ramush Haradinaj

Bisedën, Qarri e përmbyllë duke u shprehur se çdo takim i Haradinajt me Radoiçiqin është gabim shumë i rëndë e me dëme të mëdha.

“Të gjithë e dinë mirë, deri te qytetari më i thjeshtë se, as që mund të krahasohet një kryekriminel si Millan Radojçiqi me politikanin e moderuar serb Nenad Rashiq, ngase Rashiqi asnjëherë nuk e ka kundërshtuar pavarësinë dhe shtetin e Kosovës dhe gjithmonë ka punuar e bashkëpunuar me shqiptarët, për bashkëjetesë konform ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës.

Në anën tjetër, dihet mirëfilli, madje botërisht se Millan Radoiçiq atëherë dhe në çdo kohë, ishte dhe mbeti një kryekriminel, të cilit edhe aktakuza ju hoq në kohën e qeverisjes së PAN-it me urdhër politik, nga prokurori Burim Qerkini, ani pse Radojçiqi ishte në listën e zezë të SHBA-ve, kështu që, çdo takim me të, pa marrë parasysh arsyetimet banale të Ramush Haradinajt, ishte gabim shumë i rëndë e me dëme të mëdha dhe të pariparueshme, për Kosovën, për të cilat,  autorët deshën-s`deshën, një ditë duhet të japin përgjegjësi, qoftë edhe Ramush Haradinaj”, nënvizoi analisti Qarri për “Bota sot”.

Të ngjajshme

Të fundit