Pas arratisjes së Artan Grubit dhe Përparim Bajramit, shumëkush po pyet se si do të reagojë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Shkruan POPULLI.mk
Të dy, Grubi dhe Bajrami, ishin figura me pozita në Qeverinë e kaluar, e poashtu Grubi në partinë e tij dhe veprimet e tyre ishin gjithmonë të mbështetura nga lart. Artan Grubi, për shembull, nuk kishte bërë asnjë hap të rëndësishëm pa miratimin e drejtpërdrejtë të Ali Ahmetit. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe vetë në një nga emisionet televizive maqedonase. Ndërkohë, Përparim Bajrami është parë si një vegël e Artan Grubit, i cili, megjithatë, ishte gjithmonë në koordinim të ngushtë me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.
Skandali i fundit, i lidhur me 8.1 milionë euro të shpërdoruara në Lotarinë Shtetërore, ka rritur ndjeshëm presionin mbi BDI-në dhe ka nxjerrë në pah problemet e brendshme të partisë. Në këtë kontekst, kërkesat për paraburgim ndaj Artan Grubit dhe Përparim Bajramit janë bërë më të zëshme, duke reflektuar krizën e thellë që po kalon kjo parti. Ky është një moment kyç për të parë se si do të reagohet nga lideri i partisë, i cili, deri tani, ka qenë shumë i mbrojtur nga këto lëkundjet e fundit.
Për më tepër, koalicioni VLEN nuk duket të jetë i shqetësuar nga opozita pas këtyre skandaleve, duke u përqëndruar më shumë në mundësitë për të pasur një ndryshim të thellë politik. Izet Mexhiti, i cili ka qenë një kritik i hapur i veprimeve të Grubit dhe mbrojtjes së tij nga Ahmeti, tani po demaskon gjithnjë e më shumë liderin e BDI-së.
Mexhiti kishte të drejtë kur kërkonte largimin e Grubit nga pozitat kyçe, por Ahmeti e kishte mbrojtur atë deri në fund, duke përkeqësuar kështu situatën brenda partisë dhe duke çuar BDI-në drejt shpartallimit të mundshëm. / © POPULLI.mk
