16.8 C
Skopje
E mërkurë, 12 Mars, 2025

Toshkovski: Shkelësit e ligjit për vozitje përballen me dënime minimale, por sistemi duhet të ndryshojë

Numra tronditës se sa persona në vitet paraprake janë kapur pa leje për vozitje, me vetura të paregjistruara, ndërsa e madhe është diferenca mes shkelësve të denoncuar dhe dënuar! Ata që kanë kryer vepra të rënda penale kalojnë me dënime minimale ose me kusht. Këtë e theksoi ministri për punë të brendshme, Pançe Toshkovski, duke shtuar se kur sistemi dërgon porosi se rregullat nuk vlejnë njëjtë për të gjithë, atëherë fitojmë gjenerata që besojnë se mund të bëjnë gjithçka që duan.

“Sa baballarët me krenari lëvdohen se djemtë e tyre kanë mësuar të vozisin automjet para se të kalojnë provimin për vozitje! Sa prej nesh pasi që të bëjnë shkelje së pari kërkojnë mik që do t’ua rregullojë dënimin. Problemi është në atë që të gjithë së bashku lejojmë që të mos ketë sistem, të mos ketë ndërgjegje juridike, të mos ketë kulturë trafiku”, tha Toshkovski.

Ministri i drejtësisë, Igor Fillkov, theksoi disa prej ndryshimeve që duhen sjellë për të ulur numrin e aksidenteve në trafik.

“Disa shkelje të caktuara në trafik duhet të rregullohen si vepra penale. Për kryerësit që për të tretën herë do të jenë në gjykatë, ndërsa në rast të shkeljeve serioze, siç është vozitja nën ndikim të alkoolit apo shpejtësia e tepër, gjykata do tu shqiptojë sanksion që nënkupton ndalim të vlefshmërisë së lejes për vozitje”, tha Fillkov.

Atë që familja do ta humbasë nuk mundet t’ia kompensojë asnjë sistem, tha profesoresha Gordana Llazhetiq, e cila dërgoi porosi të fuqishme deri te prindërit.

“Mos u blini fëmijëve vetura “Jeep” sapo të mbushin 18 vjet, nuk është kjo ndonjë prestigj. Në dorë i jepni mjet të rrezikshëm, pistoletë të repetuar. Pasojat janë ato që janë. Kështu që ajo pjesë e blerjes me kujdes me mjetet materiale neve na kthehet si bumerang dhe kjo nuk është që dje”, tha Llazhetiq.

Ndryshimet e Ligjit për siguri në trafik janë iniciuar pasi që në opinion kishte reagime të shumta pasi 20 vjeçari Vasil Jovanov shtypi për vdekje 22 vjeçaren Frosina nga Negotina. Ai ishte pa patentë shoferi, me shpejtësi të madhe, nën ndikim të alkoolit, ndërsa kaloi në semafor të kuq.

Të ngjajshme

Të fundit