Me afrimin e festës së Fitër Bajramit, qytetarët janë përballur me rritje të konsiderueshme të çmimeve në treg. Në Bit Pazar, një nga tregjet më të frekuentuara në Shkup, atmosfera festive është zëvendësuar nga pakënaqësia dhe shqetësimi për çmimet e larta, informon POPULLI.mk
Megjithëse tregu ishte i mbushur me blerës, shumica e tyre shprehën dëshpërimin për koston e lartë të produkteve bazë. “Për çdo vit çmimet rriten, ndërsa pagat mbeten të ulëta. Askush nuk mendon për qytetarët, vetëm për xhepat e tyre,” tha një qytetar i revoltuar.
Nga ana tjetër, shitësit mbrojnë veten duke theksuar se çmimet nuk janë vendosur prej tyre, por janë pasojë e rritjes së kostove të importit. “Ne nuk kemi faj, produktet që i blejmë nga importi vijnë më shtrenjtë dhe jemi të detyruar t’i shesim më shtrenjtë,” u shpreh një tregtar.
Në këtë situatë, qytetarët pyesin përse Ministria e Ekonomisë nuk po reagon për të kontrolluar çmimet dhe për të ndihmuar konsumatorët në këtë periudhë festive. Ndërkohë, familjet me të ardhura të ulëta e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë shpenzimet bazë, duke e kthyer Bajramin nga një festë gëzimi në një sfidë ekonomike. / © POPULLI.mk



