26.1 C
Skopje
E mërkurë, 12 Gusht, 2026

ASH: Sul’mi ndaj KB Çair në Kumanovë është skenar për destabilizim

Aleanca për Shqiptarët (Sela) ka reaguar ashpër ndaj fyerjeve ndaj shqiptarëve gjatë ndeshjes së basketbollit dhe sulmit ndaj sportistëve dhe autobusit të Klubit të Basketbollit “Çair” në Kumanovë, informon POPULLI.mk

Sipas ASH, ky incident është pjesë e një skenari të radhës për destabilizim dhe tensione ndëretnike, me qëllim defokusimin e opinionit nga përgjegjësia e Qeverisë për tragjedinë në Koçan.

“Ajo që u tentua me fishekzjarret e qëllimshme në Butel, tani u vazhdua me fyerje dhe sulme në Kumanovë, ku fatkeqësisht ky qytet përsëri rikthehet në poligon të skenareve për destabilizim,” thuhet në reagimin e ASH-së.

ASH i ka bërë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe veçanërisht zëvendësministrit Astrit Iseni që të ndërmarrë masa të menjëhershme për kapjen e sulmuesve dhe ndëshkimin e tifozëve që ofenduan shqiptarët. “Nëse nuk është i aftë ta bëjë këtë, atëherë duhet të largohet nga posti që po e dështojnë vazhdimisht,” thekson ASH.

Gjithashtu, ASH i bën thirrje edhe Ministrisë së Sportit dhe zëvendësministres Safije Sadiki që të ndërmarrin masa konkrete ndaj klubit nikoqir dhe organizatorëve të ndeshjes, duke theksuar se vetëm deklaratat nuk mjaftojnë. Një reagim të qartë pritet edhe nga Federata e Basketbollit, në mënyrë që të mos përsëriten incidente të ngjashme në të ardhmen.

Aleanca për Shqiptarët ka përshëndetur vetëpërmbajtjen e sportistëve dhe qytetarëve të pranishëm në ngjarje, duke i bërë thirrje gjithë qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve dhe skenarëve të rrezikshme. / © POPULLI.mk