Pas deklaratave të Arben Taravarit mbi vështirësitë e koalicionit VLEN dhe perceptimin negativ të qytetarëve ndaj tij, ministri Fatmir Limani ka reaguar ashpër, duke e cilësuar Taravarin si një “Kalë Troje” të politikës bashkëkohore, informon POPULLI.mk
Në një postim në rrjetet sociale, Limani ka shprehur shqetësimin e tij për situatën politike brenda VLEN, duke e krahasuar atë me episode historike që, sipas tij, i kanë kushtuar shtrenjtë kombit shqiptar.
“Troja bashkëkohore
Zhvillime të përsëritura në kohë të ndryshme historike, që i kushtuan shtrenjtë kombit tonë.
Kemi çoroditur popullin me veprime të luhatshme të soj-llojit; bashkim, ndarje, ribashkim…, pajtim, ndërrim, këmbim…, hidhërim!
.., prite, prite, Skënderbe-n!
Përpjekjet për të dëbuar.., mund të trajtohen si braktisje!?”
Kjo deklaratë vjen në një moment të tensionuar brenda koalicionit VLEN, ku polemikat dhe përplasjet mes liderëve duket se po thellohen. Përveç Limanit, edhe aktivistë të BESËS dhe Alternativës kanë reaguar në rrjetet sociale, duke akuzuar Taravarin për lëvizje që dëmtojnë unitetin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Mbetet për t’u parë si do të zhvillohet situata në ditët në vijim dhe nëse këto përplasje do të ndikojnë në stabilitetin e koalicionit qeverisës. / © POPULLI.mk




