29.2 C
Skopje
E mërkurë, 17 Qershor, 2026

Zejdi: Përjashtimi i shqiptarëve nga takimi Mickoski-Filipçe, sinjal alarmues për barazinë

Takimi i sotëm mes kryeministrit, Hristijan Mickoski, dhe kryetarit të LSDM, Venko Filipçe, pa praninë e përfaqësuesve shqiptarë, ka ngjallur reagime të ashpra në skenën politike, informon POPULLI.mk

Deputeti Skender Rexhepi – Zejdi ka reaguar ashpër ndaj këtij takimi, duke e cilësuar atë si një produkt të nacionalizmit maqedonas dhe projekteve antishqiptare.

Sipas tij, ky takim nuk është thjesht një përjashtim formal i shqiptarëve nga proceset vendimmarrëse, por një tendencë e qartë për të minuar bashkëjetesën dhe barazinë në Maqedoninë e Veriut.

“Në vend që të angazhohen për ndërtimin e një shteti multietnik dhe gjithëpërfshirës, liderët maqedonas po rikthejnë politikat e vjetra të nacionalizmit, ku shqiptarët trajtohen si faktor dytësor në shtet,” – ka deklaruar Rexhepi.

Ai ka paralajmëruar se në prapaskenë mund të ketë marrëveshje të fshehta që nuk përkojnë me interesat e barazisë dhe integrimit, por me një axhendë të orientuar drejt përjashtimit të shqiptarëve nga proceset kyçe të vendit.

“Maqedonia e Veriut nuk mund të ecë përpara me qasje të tilla përjashtuese. Shqiptarët nuk janë spektatorë, por shtylla e këtij shteti,” – thekson deputeti.

Rexhepi ka bërë thirrje për unitet brenda faktorit politik shqiptar, duke nënvizuar se çdo vendim që merret pa përfshirjen e shqiptarëve është një hap mbrapa për stabilitetin e shtetit.

“Bashkëjetesa nuk mund të ndërtohet mbi përjashtimin! Maqedonia e Veriut duhet të zgjedhë mes një shteti gjithëpërfshirës ose kthimit në një arenë konfliktesh etnike të nxitura nga nacionalizmi maqedonas,” – ka përfunduar ai. / © POPULLI.mk