2.8 C
Skopje
E shtunë, 21 Mars, 2026

S*lm kibernetik ndaj SPAK-ut, dy persona në pranga

Në 12 mars, Prokuroria e Posaçme ra pre e një sulmi kibernetik. Shënjestër e hakerimit u bënë adresat e email-it të 3 prokurorëve, por SPAK qartëson se nuk u arrit të ndërhyhej në sistemin e brendshëm. Për ndërhyrjet e paligjshme në këto emaile dyshohet se pas fshihet një grup i strukturuar kriminal.

SPAK: Nga verifikimet, ka rezultuar se është ndërhyrë vetëm në adresat e e-maile-ve të disa prokurorëve, por jo në sistemin e përgjithshëm të IT-së të institucionit. Personat përgjegjës kanë arritur të marrin disa informacione, pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore. Po ashtu, ata kanë tentuar të ndërhyjnë edhe në email-in e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Z. Altin Dumani, por pa sukses.

Në pranga kanë përfunduar ish-drejtori i paraburgimit të Vlorës, Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj, ish drejtues i IMT, ndërsa SPAK thotë se dy të prangosurit nuk është provuar të kenë bashkëpunuar me personel të brendshëm të institucionit.

SPAK: Falë një hetimi intensiv të drejtuar nga Prokuroria e Posaçme, me përfshirjen e BKH-së si dhe Sektorit të Ekspertizës të kësaj Prokurorie u bë e mundur që të zbulohej kjo ndërhyrje e paligjshme, duke identifikuar dhe arrestuar brenda 24 orëve dy shtetas – individin që ka realizuar ndërhyrjen në e-mail-e dhe atë që ka shpërndarë informacionin tek persona të tretë. Gjithashtu u bë e mundur sekuestrimi i pajisjeve të përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët (file) e shkarkuar.

Prokuroria bën të ditur se janë marrë masa shtesë për tu ruajtur nga një ndërhyrje tjetër e mundshme.

Hakerimi iu bë tre prokurorëve, dy të seksionit të krimit të organizuar dhe terrorizmit, konkretisht, Elida Kaçkini e Behar Dibra dhe tjetra, Enkelejda Millonai, hetuese e korrupsionit.

Të dhënat që arritën të rridhnin iu dërguan më pas dy gazetarëve, ndërsa për ta SPAK ka urdhëruar të mos publikojnë asnjë informacion.

 

 

Burimi/vizionplus.tv

Të ngjajshme

Të fundit