Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përkujtuar me nderim dhe respekt të thellë heronjtë e kombit që ranë për lirinë e Kosovës, informon POPULLI.mk
Në një postim të publikuar këtë të mërkurë, Ahmeti ka rikujtuar 26-vjetorin e rënies së Shkëlzen Haradinajt, Fatmir Nimanajt, Hasim Halilajt dhe Luan Nimanajt – të cilët ai i cilëson si “bij të denjë të kombit”, që me trimëri të jashtëzakonshme u përballën me armikun për të mbrojtur lirinë dhe të ardhmen e Kosovës.
“Sot, me nderim të thellë dhe krenari kombëtare, kujtojmë heronjtë tanë që dhanë jetën për lirinë dhe të ardhmen e atdheut. Me trimëri të pashoqe u përballën me armikun, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar dhe një amanet të shenjtë: lirinë e Kosovës,” ka shkruar Ahmeti.
Ai gjithashtu ka përkujtuar edhe 20-vjetorin e rënies së luftëtarit të njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Enver Haradinaj, të cilin e ka cilësuar si figurë emblemë të përkushtimit dhe qëndresës.
“Sot përkujtojmë me respekt të thellë edhe 20-vjetorin e rënies së luftëtarit të lirisë, Enver Haradinaj – figurë emblemë e përkushtimit, trimërisë dhe qëndresës, i cili jetën ia kushtoi idealit të lartë për çlirimin dhe mbrojtjen e vendit.”
Ahmeti theksoi se sakrifica dhe gjaku i këtyre heronjve janë bërë themel i lirisë dhe do të mbesin përherë të gdhendur në ndërgjegjen kombëtare.
“Lavdi e përjetshme jetës, veprës dhe sakrificës së tyre!”, përmbyll ai.
