Burime të afërta me POPULLI.mk bëjnë të ditur se kryeparlamentari Afrim Gashi, ka pasur takim me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, ndërkohë që raportet mes tij dhe kryetarit të AlternAtivA-s, Zeqirija Ibrahimi, thuhet se janë ftohur kohëve të fundit.
Pyetja që ngrihet natyrshëm është se a flasin ende mes vete dy figurat kryesore të AlternAtivA-s? Këto zhvillime, të shoqëruara me qëndrime të ndryshme publike dhe mungesë koordinimi brenda koalicionit, po krijojnë ndjesinë e një përçarjeje të mundshme në radhët e VLEN-it, veçanërisht në prag të zgjedhjeve lokale.
Mosmarrëveshjet e brendshme, sidomos nëse përhapen edhe brenda AlternAtivA-s, mund të cenojnë rëndë stabilitetin dhe besueshmërinë e koalicionit VLEN. Në këtë kontekst, lind edhe një tjetër pikëpyetje: pse figura të VLEN-it e kritikojnë me tone të ashpra Ali Ahmetin, në fund ulen në tryezë me të. Ashtu si ndodhi me Taravarin, tanimë i larguar nga VLEN-i i cili e pranoi se ka pasur komunikim me kreun e BDI-së?
A po shfaqen shenja të një prirjeje për rikthim në “rrethin e vjetër”? Çdo lëvizje e tillë, sidomos në periudhën e përgatitjeve për zgjedhjet lokale, mund të ketë pasoja afatgjata për strukturën dhe qëllimet politike të VLEN-it. Nëse përçarjet brenda koalicionit thellohen, ekziston rreziku real që kjo aleancë të humbasë forcën e saj si alternativë serioze në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. / © POPULLI.mk




