Negociatat mes SHBA-së dhe Rusisë për luftën në Ukrainë janë fokusuar aktualisht në pesë rajone të Ukrainës që Moska pretendon se janë të sajat, por që Kievi nuk ka ndërmend të heqë dorë nga to.
I dërguari i posaçëm i Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, tha se rajonet janë vendimtare për zgjidhjen e luftës dhe po bëhen një pikë qendrore e çdo marrëveshjeje që ai po përpiqet të negociojë me Kremlinin në emër të Trumpit.
Por statusi i tyre mund të përbëjë një pengesë serioze për çdo marrëveshje.
Presidenti rus Vladimir Putin ka shpallur Krimenë, Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson si pjesë të Rusisë.
Raportohet se të gjitha këto territore ndodhen në Ukrainë dhe janë të paktën pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Ukraina nuk do t’i njohë kurrë këto territore si ruse.
Nëse administrata Trump do t’i bënte presion që të hiqnin dorë, Zelensky do të përballej me një zgjedhje të vështirë: të rrezikonte të humbiste mbështetjen amerikane nëse refuzon, ose besimin e ukrainasve nëse bie dakord.
Të dyja opsionet do t’i përshtateshin Putinit, shkruan The Wall Street Journal.
Çfarë tha Witkoff?
Witkoff i përmendi për herë të parë këto rajone në një intervistë me Tucker Carlson në mars, megjithëse ai e deklaroi gabim numrin e tyre në atë kohë dhe nuk mund të mbante mend shumicën e emrave.
Ai gabimisht pretendoi se Rusia kishte marrë “de facto” plotësisht kontrollin e rajoneve dhe përsëriti pretendimet e Putinit me të cilat ai po përpiqet të justifikojë pushtimin – se janë kryesisht zona rusisht-folëse ato që dyshohet se zgjodhën t’i bashkohen Rusisë.
Bëhet e ditur se komuniteti ndërkombëtar i hodhi poshtë ato referendume si të paligjshme dhe të manipuluara.
Në një intervistë me Wall Street Journal, Witkoff tha se Putin u fokusua në rajonet e Ukrainës gjatë bisedimeve të tyre.
Ai shtoi se është e mundur që Rusia të marrë disa nga ato rajone, por jo të gjitha.
Witkoff sugjeroi se Ukraina mund të kujdeset më pak për disa rajone nëse ato janë shumica rusisht-folëse.
“Kur shikoni ato pesë rajone, ato janë të rëndësishme për ju. Por a janë më pak të rëndësishme për ju nëse janë rusisht-folëse?”, tha ai.
Ndryshe, Zelensky ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se ai kurrë nuk do të njohë sundimin rus mbi asnjë pjesë të territorit ukrainas, një pozicion i mbështetur nga shumica dërrmuese e ukrainasve.
Witkoff tha të martën, tre ditë pas takimit me Putinin, se kreu i shtetit rus dëshiron “paqe të përhershme” në Ukrainë.
“Ne mund të jemi në prag të arritjes së diçkaje shumë, shumë të rëndësishme për të gjithë botën”, tha Steve Witkoff në një intervistë për Fox News.
Donald Trump ka deklaruar se qëllimi i tij është t’i japë fund luftës në Ukrainë. Administrata e tij po zhvillon bisedime të veçanta me zyrtarë të lartë rusë dhe ukrainas, të cilët deri më tani nuk kanë arritur të bien dakord për një ndërprerje të armiqësive.
Burimi/Telegrafi/