Një gjykatë turke ka burgosur 18 punonjës të Komunës së Stambollit, të cilët po presin gjykimin nën akuza për korrupsion, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu.
Njoftimi vjen në mes të shtypjes së opozitës në Turqi dhe pas arrestimit të kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu.
Imamoglu, rivali kryesor politik i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, u burgos në mars dhe tani po pret gjykimin nën akuza për korrupsion. Ai po ashtu akuzohet se ka ndihmuar një grup terrorist.
Imamoglu i ka mohuar të gjitha akuzat dhe arrestimi i tij nxiti protestat më të mëdha në Turqi në dekadën e fundit, trazira dhe akuza për gjyqësor të politizuar.
Qeveria turke mohon të gjitha këto pretendime dhe thotë se gjyqësori është i pavarur.
Transmetuesi NTV ka raportuar se 34 nga 52 personat që u arrestuan gjatë fundjavës janë liruar me kusht.
Mediat turke raportuan të shtunën se autoritetet kishin ndaluar dhjetëra punonjës të Komunës së Stambollit, si pjesë e hetimit gjyqësor të fokusuar rreth Imamoglut, duke zgjeruar shtypjen ndaj opozitës, që nisi vitin e kaluar.
Në mesin e zyrtarëve të arrestuarve janë edhe sekretari i Përgjithshëm i Komunës, shefi i stafit të Imamoglut, kryetari dhe nënkryetari i administratës për ujëra në Stamboll dhe kreu i këtij departamenti. /REL
Burimi / Top Channel