Një grup prej 35 specializantësh të rinj shqiptarë, profesionistë dhe mjekë të dalluar, kanë filluar zyrtarisht punën në shërbim të pacientëve në dy nga institucionet kryesore shëndetësore në rajon, informon POPULLI.mk
Nga ky numër, 24 mjekë janë sistemuar në Qendrën Klinike në Tetovë, ndërsa 11 të tjerë në Spitalin e Përgjithshëm në Gostivar. Ky është një hap konkret drejt përforcimit të kapaciteteve mjekësore në rajonin e Pollogut dhe përmirësimit të kujdesit shëndetësor për qytetarët.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit, Izet Mexhiti, përshëndeti këtë zhvillim përmes një mesazhi publik, duke uruar suksese specializantëve dhe duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së kuadrove të reja në sistemin shëndetësor: “Suksese të gjithëve! Ia VLEN për qytetarët, ia VLEN për shoqërinë!” – u shpreh Mexhiti.
Ky angazhim shënon një tjetër hap në kuadër të politikave të barabarta dhe të avancimit të përfaqësimit të shqiptarëve në sektorin publik, veçanërisht në shëndetësi, ku nevoja për kuadro cilësore është e domosdoshme. / © POPULLI.mk




