Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qendër të qytetit të Liverpool-it gjatë paradës së festimeve për fitoren e Premier League nga skuadra vendase. Një makinë është përplasur me një numër të madh këmbësorësh në rrugën Water Street, duke lënë të paktën 47 persona të plagosur, përfshirë katër fëmijë.
Policia e Merseyside ka konfirmuar se ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 të së hënës, më 26 maj, gjatë paradës 10-milëshe të trofeut në qytet. Një 53-vjeçar, shtetas britanik, është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe besohet të jetë drejtuesi i mjetit. Autoritetet bënë të ditur se nuk po e trajtojnë incidentin si akt terrorist.
Sipas shefit të zjarrfikësve, Nick Searle, katër persona, përfshirë një fëmijë, janë nxjerrë nga poshtë automjetit. Ambulanca transportoi 27 të plagosur në spital, ndërsa 20 të tjerë u trajtuan në vendngjarje. Dy prej të lënduarve, përfshirë një fëmijë, ndodhen në gjendje shumë të rëndë.
Dëshmitarët: “Makina nuk ndalonte”
Pamjet filmike të publikuara në rrjete sociale tregojnë makinën duke hyrë me shpejtësi në turmë, ndërsa njerëzit përpiqen të shpëtojnë. Një pjesë e dëshmitarëve tregojnë se makina po ecte me një shpejtësi mbi 30 km/h dhe binte borinë për të hapur rrugën.
Gazetari i BBC, Matt Cole, tha se makina “nuk ndalonte” dhe se disa persona vraponin pas saj, duke tentuar ta ndalonin. Dritarja e pasme e mjetit ishte thyer, sipas pamjeve të publikuara pas ndalimit të makinës.
Ndërkohë që hetimet vazhdojnë, policia e Merseyside përballet me kritika për mungesë të masave të duhura të sigurisë, pasi rruga Water Street, e cila ishte e mbushur me tifozë, duhej të ishte e bllokuar për qarkullimin e automjeteve. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin spekulimet deri në përfundimin e hetimeve zyrtare.
https://x.com/i/status/1927087055642693666
