Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar Planin e ri Operativ për Punësim për vitin 2025, një nismë e fuqishme që synon të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e mbi 16,000 qytetarëve. Zëvendëskryeministri i Parë, Izet Mexhiti, theksoi se ky është investimi më i madh për punësim në vitet e fundit, me një fond rekord prej 40 milionë euro, informon POPULLI.mk
Plani përfshin një sërë programesh konkrete për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për mbështetjen e qytetarëve që kërkojnë një mundësi për të ecur përpara. Një fokus i veçantë i është kushtuar fuqizimit të të rinjve nën moshën 29 vjeç.
“Të rinjtë do të përfitojnë mbështetje të drejtpërdrejtë financiare prej 10 mijë eurosh për hapjen e bizneseve të tyre. Kjo nismë synon të nxisë vetëpunësimin dhe të mbështesë sipërmarrjet e reja që krijojnë vlera dhe vende pune,” u shpreh Mexhiti.
Ai theksoi se qëllimi kryesor i këtij plani është që çdo qytetar të ketë një mundësi reale për të ndërtuar të ardhmen në vendin e vet, me dinjitet dhe siguri.
“Ky është një tjetër hap konkret që tregon se prioriteti ynë është dhe mbetet mirëqenia e qytetarëve, fuqizimi i rinisë dhe zhvillimi ekonomik i vendit,” përfundoi Mexhiti. / © POPULLI.mk




