“Faktisht, është asgjësimi i Edi Ramës.” Ky është leximi që kryetari i PD, Sali Berisha i bën mesazhit të urimit të ambasadës së SHBA për zgjedhjet e 11 Majit. Në konferencën për mediat, Berisha tha se në reagimin e saj, ambasada amerikane, nuk e pohoi dhe as nuk e mohoi farsën elektorale.
Daljen publike e shfrytëzoi sërish për të denoncuar manipulimin e votës në diasporë.
Kryedemokrati thotë se akuzat për manipulim të votave i mbështet mbi fakte dhe prova.
Pati një paralajmërim për komisionarin shtetëror të zgjedhjeve Celibashi, ndërsa më i ashpër u tregua me ish-bashkëpunëtorin e tij, Ilirjan Rusmali, aktualisht anëtar i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Berisha thotë se tashmë PD ka nisur luftën për mbrojtjen e votës.
PD ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të publikojë prova që sipas saj, vërtetojnë për manipulim të procesit zgjedhor brenda vendit dhe atë jashtë Shqipërisë.
Burimi / Klan News
