20.1 C
Skopje
E shtunë, 18 Korrik, 2026

Zgjedhjet afër, tensionet lartë e më lartë / Arsovska dhe Ganiu në betejë të hapur

Një luftë e ashpër fjalësh dhe akuzash ka shpërthyer mes kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, dhe kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu. Në qendër të përplasjes janë ndërtimet pa leje dhe problemet e shumta me mbeturinat në këtë komunë të Shkupit, informon POPULLI.mk

Danella Arsovska ka dalë me akuza të drejtpërdrejta ndaj komunës së Çairit, duke deklaruar se janë identifikuar mbi 150 kërkesa për ndërtime pa leje që i janë kthyer komunës për shqyrtim. Sipas saj, situata po del jashtë kontrollit dhe institucionet lokale po mbyllin sytë para shkeljeve ligjore.

Në anën tjetër, kryetari i Çairit, Visar Ganiu, ka reaguar ashpër, duke akuzuar Qytetin e Shkupit për mungesë të shërbimeve bazë. Ai ka thënë se Çairi kundërmon nga mbeturinat dhe qytetarët nuk mund të jetojnë në këto kushte, pavarësisht se janë taksapagues të rregullt.

“Ne i paguajmë të gjitha obligimet ndaj qytetit. Kërkojmë shërbime të barabarta, jo trajtim të padrejtë dhe selektiv,” ka deklaruar Ganiu, duke hedhur poshtë akuzat për ndërtime të paligjshme dhe duke ia kthyer topin Qytetit të Shkupit.

Por Arsovska nuk është ndalur me kaq. Ajo ka deklaruar se komuna e Çairit i ka borxh Qytetit të Shkupit mbi 7 milionë denarë, duke lënë të kuptohet se ky borxh ka ndikuar edhe në nivelin e shërbimeve që ofrohen.

Përplasja mes dy kryetarëve po ndodh në një moment kur vendi po i afrohet zgjedhjeve lokale, dhe si duket, retorika politike do të ashpërsohet edhe më tej në javët në vijim. Lufta për kontrollin e qytetit, ndërtimet pa leje dhe pastrimi i mbeturinave janë vetëm disa nga fushat ku do të përplasen vizionet dhe akuzat politike. / © POPULLI.mk