Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do të vijojë të qëndrojë në burg. Ky ishte vendimi i marrë nga gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi, i cili rrëzoi ankimin e Veliajt, i cili, përmes avokatëve të tij, kërkoi lirimin nga qelia, ku qëndron i izoluar prej 10 shkurtit 2025.

Ashtu si më parë, edhe kësaj here avokatët e tij ofruan garanci pasurore, por ky propozim nuk u pranua nga gjykata.

Kryetari i Bashkisë po hetohet për dyshime mbi konsumimin e veprës penale të korrupsionit pasiv në të paktën 9 raste, ndërsa së fundmi atij iu shtua edhe akuza për fshehje pasurie.

Në të njëjtën seancë të zhvilluar këtë të hënë, u la në fuqi masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për Elman Abulen, një nga biznesmenët me të cilët Veliaj ka bashkëpunuar në skemën korruptive, sipas SPAK-ut.

Kryebashkiaku Veliaj ka kundërshtuar masën e “arrestit me burg” edhe në Gjykatën e Lartë, por ende nuk është caktuar data e shqyrtimit dhe trupa gjykuese.

Në të njëjtën dosje penale, SPAK po heton edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si dhe 4 biznesmenë të tjerë.

 

 

Burimi / Tv Klan