33.8 C
Skopje
E mërkurë, 18 Qershor, 2025

11 Korriku Dita kur njerëzimi dështoi

11 Korriku Dita kur njerëzimi dështoi

Shkruan: Hamzi Ibraimi

Gjenocidi i Srebrenicës nuk është vetëm një faqe e errët e së kaluarës por është një test i përhershëm për ndërgjegjen e Evropës dhe të gjithë njerëzimit.
H.I

Kanë kaluar pothuajse tri dekada nga ajo që ndodhi në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, por dhimbja mbetet po aq e freskët. Sepse Srebrenica nuk është thjesht një datë përkujtimore. Është një plagë që nuk mbyllet, një zë që nuk hesht, një emër që nuk duhet dhe nuk mund të harrohet.

Më shumë se 8.000 burra e djem myslimanë boshnjakë u vranë sistematikisht nga forcat serbe, nën komandën e Ratko Mladiqit. Gratë u dhunuan, fëmijët u ndanë nga prindërit, dhe trupat u zhdukën në varre masive dhe shumë prej të cilave ende vazhdojnë të zbulohen. Kjo nuk ishte një pasojë e rastësishme e luftës; por ishte një plan i mirëorganizuar për të zhdukur një popullsi për shkak të fesë dhe përkatësisë së saj etnike.

Srebrenica nuk është vetëm një emër në librat e historisë. Por është një vend ku dheu ende nuk fle i qetë. Është një vend ku lotët ende nuk janë tharë, ku nënat ende presin bijtë që nuk u kthyen kurrë.

Çdo varr i ri që hapet, çdo trup i ri që identifikohet, është një kujtesë se gjenocidi nuk është vetëm e shkuara por një realitet që jeton në çdo përvjetor, në çdo përmendje, dhe në çdo heshtje.

E vërteta e hidhur është se kjo ndodhi në zemër të Evropës, në fund të shekullit XX, nën mbikëqyrjen e misioneve ndërkombëtare. Kjo ndodhi jo sepse nuk mund të ndalohej, por sepse shumë zgjodhën të mos ndërhyjnë. Dhe të mos harrojmë: heshtja e atëhershme është përgjegjësi e përhershme.

Srebrenica nuk është vetëm dhimbje. Është një mësim që ende nuk është mësuar.

Sot, në shumë vende të botës, po rikthehet gjuha e urrejtjes, nacionalizmi ekstrem. Shoqëritë polarizohen dhe bota shpesh hesht ashtu siç heshti në vitin 1995. Prandaj, kujtimi i Srebrenicës nuk është vetëm akt nderimi për viktimat, por detyrë për të mbrojtur të ardhmen.

Në Bosnjë, ende nënat e Srebrenicës ecin me fotografitë e bijve të tyre në duar. Ende kërkojnë eshtrat e atyre që nuk u kthyen. Dhe çdo vit, në Potoçari, gjatë ceremonisë së varrimit të viktimave të identifikuara, dëgjojmë të njetat fjalë, të njëjtin vaj, dhe të njetën lutje: “Mos e harroni!”

Sepse ne nuk kemi të drejtë të harrojmë!

Të rinjtë tanë duhet të mësojnë jo vetëm datat dhe emrat, por edhe përgjegjësinë morale. Sepse ne duhet që ta kuptojmi se pa drejtësi nuk ka paqe, se pa të vërtetën nuk ka bashkëjetesë, dhe se ndërtimi i një bote më të drejtë fillon me pranimin, ballafaqimin dhe dënimin e çdo forme të urrejtjes.

Në çdo 11 korrik, në Potoçari, varrosen viktimat e reja jo sepse janë vrarë tani, por sepse trupat e tyre ende gjenden në varre masive, ende po identifikohen dhe ende presin që të prehen me dinjitet. Nëna që presin të birin, gra që s’i kanë parë më burrat e tyre, fëmijë që janë rritur pa baballarë të gjithë këta janë dëshmitarë të gjallë të një dhimbjeje që nuk pushon asnjëherë.

Sot, kujtimi i Srebrenicës është akt rezistence ndaj harresës. Është një përgjigje e qartë: Po, ne e dimë çfarë ndodhi. Dhe ne nuk do ta harrojmë kurrë.

Nëse duam paqe të qëndrueshme në Ballkan dhe përtej tij, duhet të themi të vërtetën. Të pranojmë realitetin historik. Të kërkojmë drejtësi. Sepse pa drejtësi nuk ka pajtim për të vërtetën. Dhe pa kujtesë, nuk ka nderim për viktimat.

Srebrenica është vetëm një plagë që nuk duhet të mbulohet me harresë, por duhet të shërohet me të vërtetën dhe drejtësinë. Por është përgjegjësi edhe e brezave që vijnë pas që ta kujtojnë jo vetëm si histori, por si betim moral.

Le ta mbajmë gjallë kujtimin jo për të ushqyer urrejtje, por për të ruajtur njerëzimin tonë. Sepse Srebrenica nuk është vetëm histori është përgjegjësi.

Të ngjajshme

Të fundit