“Për afër tri dekada shqiptarët në këtë shtet ishin të nënpërfaqësuar, të shtypur dhe të anashkaluar me vetëdije nga institucionet që kishin për detyrë t’u shërbenin të gjithëve barabartë. Për 30 vjet, diskriminimi institucional u bë sistem, ndërsa zëri i shqiptarëve u dëgjua vetëm si numër votash, jo si forcë që meriton vendin që i takon!
Por koha e padrejtësisë po përmbyllet! Gjatë javës që po vjen, historia do të shkruhet në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut. VLEN, me guxim dhe përgjegjësi, po e përmbyll një nga pikat më thelbësore të Marrëveshjes së Ohrit, do të kalon në seancë qeveritare Ligji për Përfaqësimin e Drejtë dhe Adekuat të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera në administratën shtetërore dhe publike”, thuhet në komunikaten e VLEN.
“Kjo nuk është një akt politik, është një akt drejtësie. Nuk është show elektoral, është korrigjim historik. Ky ligj, i mbështetur në Amendamentin VI të Kushtetutës, e bën përfaqësimin adekuat obligim ligjor dhe institucional, jo më dëshirë personale apo numërim i rremë nga partitë që gënjyen një popull të tërë.
Institucionet do të detyrohen të sigurojnë përfaqësim të drejtë, pa diskriminim, duke respektuar kompetencën, integritetin, transparencën dhe gjithëpërfshirjen.
Ajo që BDI-ja nuk e bëri për 22 vjet me pushtet të pakufishëm, VLEN e realizon në muajt e parë të qeverisjes. Ata e shitën Marrëveshjen e Ohrit, ne po e zbatojmë me ligj! Me këtë vendim, VLEN e kthen barazinë në themel të shtetit dhe e çon shqiptarët atje ku gjithmonë kanë merituar të jenë, në qendër të institucioneve, jo në periferi të statistikave.
Me këtë vendim historik, VLEN nuk po bën thjesht një reformë, por po rikthen dinjitetin e shqiptarëve.
Shqiptarët nuk janë dekor në këtë shtet, janë bërthama e tij! Janë themeli mbi të cilin u ndërtua bashkëjetesa!”,mbyllet komunikata e VLEN.