Shkup, 28 Qershor 2025 ne ora 13:00 – Në zemër të Çairit, aty ku prej dekadash ka rrahur ritmi i kulturës urbane, rikthehet me fuqi të re një manifestim i rëndësishëm: koncerti hip hop “Shkupi on its Finest”. Ngjarja do të mbahet më 28 qershor 2025, në hapësirat publike të parqeve të Çairit, duke e kthyer këtë zonë sërish në epiqendrën e talenteve të rinj dhe artistëve të afirmuar.
Ky koncert organizohet me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, dhe ka për qëllim promovimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturës hip hop në vend. Ideatori dhe njëherësh një nga figurat qendrore të eventit është Urim Etemi, i njohur në skenën muzikore si Ummet, i cili përkrahur nga disa prej emrave me kontribut të gjatë në këtë skenë, sjell një frymë autentike dhe nostalgjike.
“Interesimi për realizimin e një manifestimi të tillë ka ekzistuar prej kohësh. Tani që u krijua mundësia, nuk do të hezitojmë ta realizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme,” – theksoi Ummet për mediat.
Koncerti është konceptuar si një rikthim simbolik në vitet e ’90-ta, kur të rinjtë e Shkupit filluan të kultivojnë elementet e para të hip hopit, në rrugë, parqe dhe lagje. Kjo ngjarje pritet të mbledhë dashamirës të shumtë të kësaj kulture dhe të ofrojë një skenë të hapur për artistët e brezit të ri.
Organizatorët ftojnë publikun që të jetë pjesë e këtij manifestimi kulturor unik, i cili jo vetëm që nderon rrënjët e hip hopit në Shkup, por edhe hap një faqe të re në historinë e tij moderne.