Tifozët më besnikë të FC Shkupit, “Shvercerat”, kanë lëshuar një thirrje të fuqishme për mobilizim të plotë në tribuna, përpara ndeshjes që zhvillohet sonte në ora 20:00 në stadiumin e Çairit, informon POPULLI.mk.
Me një mesazh të drejtpërdrejtë dhe emocional, “Shvercerat” denoncojnë gjendjen e rëndë të klubit, duke akuzuar drejtuesit për mungesë nderi dhe ekipin për mungesë shpirt gare: “FC Shkupi po shkon në humnerë! Ekip pa shpirt, drejtues pa nder, fushë pa krenari!”
Por, sipas tyre, në këtë errësirë ka mbetur vetëm një pikë drite: tribuna dhe zemra e tifozit, që nuk është dorëzuar kurrë: “Tribuna jemi ne, e vetmja që s’ka rënë asnjëherë! Në këtë terr, zemra e Shvercerit është drita e fundit që nuk shuhet!”
Ata kërkojnë fundin e heshtjes dhe të turpit, dhe ftojnë çdo qytetar të Çairit, të ri e të moshuar, që të jetë në stadium dhe të mbështesë me zë të lartë.
“Mjaft më me heshtje! Mjaft me poshtësi, mjaft me turp! Çairi duhet të dridhet!”
Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë në stadiumin e Çairit, ku përkrahja nga tribunat, si gjithmonë, mund të bëjë diferencën. / © POPULLI.mk