Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi të hënën një urdhër ekzekutiv që i jep fund një programi të sanksioneve ndaj Sirisë, duke e mundësuar përfundimin e izolimit të këtij shteti nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe duke e forcuar zotimin e Uashingtonit për ta ndihmuar rindërtimin e Sirisë pas luftës civile shkatërruese.
Vendimi i ri do ta lejojë mbajtjen në fuqi të sanksioneve amerikane ndaj ish-presidentit të rrëzuar sirian, Bashar al-Assad, bashkëpunëtorëve të tij, abuzuesve të të drejtave të njeriut, trafikuesve të drogës, njerëzve të lidhur me aktivitetet e armëve kimike, ISIS-it dhe grupeve të lidhura me të si dhe grupeve që veprojnë në favor të Iranit, tha para gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad al-Shibani, tha se vendimi i Trumpit për t’u dhënë fund sanksioneve ndaj Damaskut “do ta hapë derën për rindërtimin dhe zhvillimin e shumëpritur”, sipas një shkrimi që ai e publikoi në rrjetin X.
Kryediplomati sirian tha se kjo lëvizje “do ta largojë pengesën” kundër rimëkëmbjes ekonomike dhe do ta hapë vendin ndaj komunitetit ndërkombëtar.
Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, u takua me Trumpin në Riad të Arabisë Saudite në maj ku, në një ndryshim të madh të politikave, kreu i Shtëpisë së Bardhë në mënyrë të papritur njoftoi se do t’i largonte sanksionet amerikane ndaj Sirisë.
“Sirisë duhet t’i jepet një mundësi dhe kjo është ajo që ndodhi” – tha para gazetarëve emisari i posaçëm i ShBA-së për Sirinë, Thomas Barrack.
