Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji është liruar nga burgu.
Vendimi u mor sot në Gjykatën e Fierit ku edhe u mbajt seanca për shqyrtimin e kërkesës së tij për liri me kusht. Salianji kishte kryer deri më tani 2/3 e dënimit dhe i kishin mbetur edhe 3 muaj të tjerë për të kryer dënimin e plotë.
Sipas medieve raporti i shërbimit të provës ishte pozitiv dhe prokurori i çështjes, Genc Mane dha dakordësinë e tij për lirimin e Salianjit.
Salianji ndodhej në burgun e Fierit prej 27 shtatorit 2024, ndërsa u dënua për kallëzim të rremë, për dosjen e njohur me emrin “Babale”.
Ervin Salianji u dënua nga Gjykata e Apelit për kallëzim të rremë, pasi në 2018-ën pretendoi se vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj, ishte i përfshirë në trafikun e drogës.
Avokati Ledio Braho në një prononcim për mediet pas vendimit të gjykatës së Fierit për të liruar me kusht të Ervin Salianjin, tha se dënimi i tij ishte politik. Sipas procedurave, ai tha se lirohet brenda ditës.
“Më në fund pati një element minimal drejtësie për të. I gjithë procesi sipas mendimit tim është krejtësisht i padrejtë, ishte dënim politik, por sot arritëm të shkurtonim më pak se dy muaj e gjysmë nga dënimi i mbetur. Procedurat janë që duhet të lirohet brenda ditës së sotme. Salianji sqaroi se beteja e tij ka qenë për interesin publik”, u shpreh Braho.
Lidhur me lirimin e Salinajit, ka reaguar në një deklaratë për mediet edhe kreu i PD, Sali Berisha. Ai tha se ishte një dënim politik.
“Ervin Salianji vuajti jashtë çdo lloj ligji, Kushtetute dhe rregulli. 9 muaj në burg vetëm e vetëm pse denoncoi Geron Xhafën si trafikant kryesor në qarkun e Vlorës, i cili kërkohej në Milano”.
“Burgosja e Ervin Salianjit kishte si synim kryesor burgosjen e të vërtetës se Edi Rama, Fatmir Xhafaj dhe Geron Xhafaj udhëhiqnin dhe përfitonin nga trafiqet nga Vlora drejt Italisë”, tha Berisha.
