Reperi i famshëm shqiptar, Noizy, u arrestua të shtunën në aeroportin e Cyrihut sapo mbërriti në Zvicër për të promovuar albumin e tij të ri, raportojnë mediat zvicerane.
Lajmi është konfirmuar nga Policia Kantonale e Cyrihut për median zvicerane Watson.
Sipas autoriteteve zvicerane, arrestimi u krye me urdhër të Prokurorisë për krime të rënda me dhunë, por detaje të tjera ende nuk janë bërë publike.
Noizy pritej të performonte në klubin Rinora 4 në Rümlang afër Cyrihut, ku kishte paralajmëruar një koncert për promovimin e projektit të tij më të fundit muzikor. Por pas ndalimit të tij, organizatorët i kanë hequr të gjitha njoftimet dhe reklamat nga rrjetet sociale.
Deri tani, Noizy apo përfaqësuesit e tij nuk kanë komentuar për arrestimin në Zvicër.
